Vlore, digjet qëllimisht makina e punonjësit të policisë

Makina private e një punonjësi policie u dogj mëngjesin e kësaj të marte në qytetin e Vlorës në një ngjarje që dyshohet të jetë e qëllimshme.

Policia e Vlorës njoftoi se mori njoftim rreth orës 03:10 të mëngjesit për ngjarjen e regjistruar në lagjen “Pavarësia” pranë palestrës së mundjes. Shërbimet e rendit dhe të zajrrëfikses shkuan pranë vendit të ngjarjes ku kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit.

Pas verifikimeve rezultoi se ky mjet tip “Benz” është në pronësi të punonjësit të policisë Zini Zenelaj, inspektor në fshatin Babicë, më parë inspektor rendi në komisariatin e Vlorës.

Hetimet e para përforcuan dyshimet se ngjarja është e qëllimshme. Në pjesën e përparme të makinës është konstatuar lëndë djegëse duke shkaktuar dëme më të mëdha në mjet.

Ky është rasti i dytë i djegies së dyshuar të qëllimshme të një mjeti të efektivëve të policisë në qytetin bregdetar. Më 9 tetor në Vlorë u dogj makina e një tjetër polici.

Policia e Vlorës thotë se po vijon ndërkohë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave zjarrvënies së qëllimshme të mjeteve të uniformave blu.


EMISIONET