Vlorë, hapen qendra shëndetësore për turistët

Vlorë, hapen qendra shëndetësore për turistët

Tri qendra shëndetësore me shërbim 24 në 7 ditë janë funksionale prej 1 qershorit në bregdetin e Vlorës si një prej qyteteve që pret numrin më të lartë të turistëve përgjatë sezonit turistik

Ata janë ngritur në plazhin e Ri, plazhin e Vjetër dhe në Zvërnec.

Mjekja Elona Gjergji, me shërbim pranë qendrës shëndetësore në plazhin Vjetër, thotë se aty ofrohet shërbim ambulator, ndërsa janë pajisur me te gjitha mjetet dhe barnat e nevojshme për ndihmën e parë.

Elona Gjergji: "Shërbimi ka filluar që me datën 1 qershor dhe do të jetë deri më datë 15 shtator. Është një shërbim 24 orësh, ku janë dy mjekë dhe infermierë."

Sezoni turistik ka nisur, por në bregdet ende nuk flitet për fluks pushuesish edhe për shkak të motit të paqëndryshëm që ka karakterizuar këto ditë. 

Ndaj gjatë kësaj periudhe pacientët që kanë shfrytëzuar këtë qendër shendëtësore janë më së shumti banorë të zonës se pushues.

Elona Gjergji: "Deri tani shumica kanë qenë banorë të zonës, pushues kanë qenë shumë më pak sepse edhe numri i tyre ka qenë i pakët."

19 mjekë dhe infermierë të rinj janë punësuar vetëm për këtë sezon turistik për të punuar në qendrat shëndetësore verore.

Ndërkohë 17 autoambulanca janë parashikuar se do të qëndrojnë përgjatë vijës bregdetare për të ofruar ndihmën e parë dhe dërgimin e pacientëve drejt spitaleve më të afërta.

Risi ketë vit është edhe sinjalistika e qendrave shëndetësore e vendosur fillimisht në rrugët nacionale e urbane dhe me pas pranë qendrave, të cilat kanë edhe numrin specifik të telefonit.

Plani i masave të Ministrisë së Shëndetësisë për sezonin turistik synon shmangien e viktimave në plazhet shqiptare për shkak të mungesës së ndihmës së parë

EMISIONET