Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, gjatë një vizite në Theth, pati një takim për rreth 90 minuta me banorët e zonës turistike ku u njoh me problematikat kryesore që pengojnë zhvillimin. Përmes Ora News që e ndoqi deri në Alpe, Ambasadorja përcjell mesazhe të forta për qeverinë, ku kërkon zgjidhjen urgjente të çështjes së pronës, rrugës dhe energjisë, si tre problematikat që pengojnë zhvillimin e turizmin e turizmit. E pyetur nga gazetari Ora News për luftën kundër kultivimit të kanabisit, diplomatja tha se është punuar fort dhe ka rezultate pozitive.

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, në fund të mandatit në Shqipëri u ka dhënë një tjetër shembull krerëve të institucioneve qëndrore e lokale për trajtimin e problematikave të qytetarëve kudo qofshin.

E ngjitur në Theth për t'iu gëzuar bukurive natyrore, diplomatja pati një takim me banorët e zonës turistike, ku për më shumë se 1 orë e 30 minuta, larg vëmendjes së medias u njoh me shqetësimet e këtij komuniteti.

Mungesa e çertifikatave të pronësisë, rruga e amortizuar nga Qafa e Thores në brendësi të fshatit dhe mungesa e energjisë elektrike, ishin tre hallet kryesore që banorët e Thethit ndanë me Ambasadoren e BE.

Pas takimit, Ambasadorja përcolli mesazhe direkte për qeverinë, përmes kameras së Ora News që e ndoqi deri në Alpe. 

Zgjidhja e çështjes së pronës në Theth, për Ambasadoren është çështje urgjente.

Romana Vlahutin: “Roli i shtetit është thelbesor, këtë diskutuam edhe me banorët. Kryesorja dhe gjëja e parë që duhet zgjidhur, pasi ka mjaft sensitet është çeshtja e pronësisë.  Që në hapat e parë kur parlamenti miratoi vite më parë ligjin 7501, banorët këtu ishin kundër dhe refuzuan ta zbatojnë. Kjo pasi ata dijnë kufijtë e tokave të të parëve, pra e kanë të qartë kush, si dhe me kë janë fqinj. Eshtë emergjente kjo zgjidhje sepse ata nuk mund të përfitojnë nga asnjë grant i BE-së, si psh fondet IPARD. Por kjo është e rëndësishme edhe për investitorët që duan të vijnë këtu, pasi pa çertifikatë pronësie nuk mund të bësh asgjë”.

Thethi çdo vit pret disa mijëra turistë dhe është bërë imazh i Shqipërisë turistike në sytë e botës, por rruga për të shkuar atje dhe energjia e dobët elektrike, janë dy probleme të tjera për të cilat edhe ambasadorja Vlahutin thotë se kërkohet zgjidhje.

Romana Vlahutin: “Nga ana tjetër, infrastruktura është kryesore. Për 8 muaj rruga është e pakalueshme, pasi bllokohet nga dëbora, e 4 muaj të tjerë të duhet një makinë e mirë të vish, pasi është shumë e amortizuar. Energjia elektrike është gjithashtu problem, rrjeti i amortizuar dhe luhatjet e tensionit. Voltazhi i ulët prish pajisjet, por së dyti pengon biznesin të zhvillohet siç duhet. Njerëzit këtu kanë ide të qarta si duan të punojnë, ta zhvillojnë këtë hapësirë, e të ruajnë tradicionalen, atë që kanë trashëguar e që është thesar i zonës. Pra nevojitet një ndihmë sa më parë. Qeveria, pushteti vendor duhet të krijojnë mundësi zhvillimi”. 

Gazetari i Ora News, Bepin Kolvataj, e pyeti Ambasadoren edhe mbi politikat që duhen ndjekur kundër braktisjes së zonës dhe fenomenin e kultivimit të kanabisit, për të cilat diplomatja tha:

Romana Vlahutin: “Kemi punuar shumë fort dhe të thuash shumë fort, është sërish të mos e theksosh sa duhet, luftën kundër kultivimit të kanabisit. Kemi rezultate pozitive. Koleget tanë Italian po monitorojnë situatën për vazhdimësinë. Nga ana tjetër më duhet të ritheksoj se njerezve u duhet dhënë mundësia të jetojnë këtu, pasi zona ka kapacitete të ofrojë turizëm gjithevjetor. Kjo i ndihmon ata të ndërtojnë atë që kanë”.

Ambasadorja Vlahutin qëndron në Theth në kuadër të disa aktiviteteve festive me qëllim promovimin e zonës turistike.

/Ora News.tv/