Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi që të qëllohet një avion pasagjerësh turq, pas kërcënimeve me bombë që vinte nga avioni, ndërsa dyshohej se shënjestër ishte ceremonia e hapjes së Olimpiadës Dimërore Soçi 2014.

Deklarata e fortë është publikuar gjatë një dokumentari të ri për Putin. Në të, presidenti tha se ai mori një telefonatë nga oficerët e sigurimit ndërsa ceremonia ishte gati për të filluar.

Pilotët e një avioni turk "Pegasus Boeing 737-800" që fluturonin nga Kharkiv në Ukrainë për në qytetin turk të Stambollit, raportuan se një pasagjer në aeroplan kishte një bombë dhe po kërkonte të ulej në Soçi, i thanë zyrtarët Presidentit Putin.

Gjatë diskutimeve me oficerët e sigurimit se si të merren me këtë situatë, Putini pyeti se çfarë do të ishte procedura standarde në raste të tilla.

Presidenti rus u tha se plani i emergjencës bëri thirrje për rrëzimin e avionit.

"U thashë atyre:'Veproni sipas planit'", - thotë Putin në dokumentar.

Pak minuta pas marrjes së vendimit, Putin u thirr sërish duke i deklaruar se pretendimi ishte i rremë dhe pasagjeri që kishte bërë kërcënimin me bombë ishte i dehur.

Avioni, i cili vazhdoi destinacionin e tij për në Turqi, kishte në bord 110 pasagjerë.

Gjatë ceremonisë së hapjes në Soçi, 40,000 njerëz u mblodhën në qytet për të parë hapjen e Olimpiadës Dimërore.

Dmitri Peskov, zëdhënës i Kremlinit, konfirmoi komentet në dokumentar.

/Ora News.tv/