Pas disa kontratave të rëndësishme të nënshkruara me investitorët e brandeve më të njohura të hoteleve me 5 yje në botë, që kanë pranuar të investojnë në Shqipëri, një tjetër hotel me 5 yje do të ndërtohet së shpejti në bregdetin jonian, falë marrëveshjes së nënshkruar mes grupit Concord dhe Alpitour në Romë, ku ishte i pranishëm edhe ministri Klosi.

Klosi: Ne synojmë që në këto marrëdhënie me këta operatorë të fuqishëm turistikë të transformojnë Shqipërinë në një destinacion turistik dhe tranformimi nuk mund të ndodhë nëqoftëse nuk ka investitorë si zoti Dulaku, të cilët investojnë në raport të drejtpërdrejt në një hotel me 5 yje, duke e shndërruar Shqipërinë në një vend të frekuentuar nga shumë më tepër turistë sesa një vit më parë.

 Shqipëria në vitin 2018 pranoi 6 milion turistë dhe sfida jonë e madhe për të arritur 10 milion turistë do të realizohet vetëm nëse kemi investime të tilla. Pra, kjo firmosje e sotme shënon një nga 15 kontratat që ne kemi në tavolinë tashmë me 15 hotele me 5 yje, që e transformojnë Shqipërinë në një destinacion europian.

Ai gjithashtu theksoi se në bashkëpunim me Alpitour kanë shkëmbyer ide për të ndërtuar një strategji të përbashkët të promovimit të shqipërisë turistike, e cila do të klikohet nga miliona klikues të rrjetitAlpi Tour, me mbi 3 mijë agjensi turistikë në të gjithë europën dhe më gjerë.

Gabriele Burgio: Grupi Alpitour ka vendosur të investojë në Shqipëri në bashkëpunim me grupin Concord. Mendojmë që Shqipëria ka bërë ndryshime të rëndësishme, por një pjesë e Europës nuk është njohur ende me to, duke nisur nga infrastruktura, investimet në Vlorë, në aeroportin e Tiranës, etj. Është një vend që ja vlen për tu zbuluar. Ne kemi sjellë turistët e parë në Shqipëri, por me këtë projekt jemi besimplotë që do të sjellim edhe më shumë turistë.

Për investitorin Artan Dulaku, realizimi i kësaj kontrate do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve që vijnë në Shqipëri.

Dulaku: Ishte kënaqësi për ne që pas një pune të gjatë dhe intensive arritëm më së fundi në një kokluzion me kompaninë më të madhe në tregun Italian të turizmit dhe të hotelerisë, Alpitour, për të finalizuar ndërtimin e një hoteli në zonën e Palasës, pjesë e zinxhirit të hoteleve që ne si kompani kemi vendosur të ndërtojmë në bregdetin shqiptar. Dua të falenderoj këtu edhe asistencën që ministri i Turizmit dhe Mjedisit na ka dhënë gjatë gjithë kohës për ta materializuar dhe finalizuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë kontratë.

Hoteli i ri me 5 yje do të ndërtohet në jug të vendit, në Palasë, me një sipërfaqe prej 2000 metra katrorë dhe mbi 150 dhoma.

/Ora News.tv/