Vitin e ardhshëm shkollor, fëmijët në arsimin e detyrueshëm nga klasa I-IX do të përfitojnë libra falas. Ministria e Arsimit parashikon në buxhetin e arsimit përfshirjen e këtij projekti për të lehtësuar familjet në të gjithë vendin. Ky është një diskutim edhe politik, propozim i ardhur edhe nga demokratët të cilët dorëzuan një amendament javën e kaluar në parlament. Ministria e Arsimit ka parashikuar në buxhetin e 2018 librat falas për nxënësit nga klasa e 1-9. Buxheti për arsimin bazë për vitin e ardhshëm është 22 mln lekë, ndërsa ende nuk është detajuar zëri se sa buxhet do të jetë vetëm për botimet falas shkollore. Kjo është një çështje, që sipas ministres Nikolla do të shterojë të gjithë diskutimet nga grupet e interesit, organizatat dhe politika. Nikolla: Angazhim i mbajtur në buxhetin e vitit 2018 për të filluar procesin e teksteve falas në arsimin e detyrueshëm. Fillon me arsimin e detyrueshëm, pra është një program që ne do ta shtrijmë hap pas hapi duke filluar edhe me tekstet e reja të kurrikulës së re. Ministrja Nikolla e quan mbajtje të një premtimi librat falas për arsimin e detyrueshëm. Ky projekt ka qënë në fakt edhe një kërkesë e demokratëve në nisje të vitit të ri shkollor që u jetësua më pas me dorëzimin e një amanedamenti në parlament javën që lamë pas. Ky është një projekt që prej vitesh është zbatuar në vendet e rajonit dhe shtetet fqinje si Italia dhe Greqia që përfshijnë edhe arsimin parauniversitar. Aktualisht ministria e Arsimit, mbështetet 18 kategori që përfshijnë familjet në nevojë, komunitetet si ai romë dhe egjiptian si dhe familjet që kanë 3 dhe më shumë fëmijë në shkollë. /Oranews.tv/

/Ora News.tv/