Për vitin 2018, zero burokraci për investitorët në bujqësi

Për vitin 2018, zero burokraci për investitorët në

Qeveria u premton fermerëve thjeshtim të procedurave të aplikimit për skemat mbështetëse për vitin 2018 nëpërmjet aplikimit online. Ky aplikim do të bëhet i mundur nëpërmjet portalit E-Albania. Drejtoresha e Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, shpjegoi se si do të mundësohet ky shërbim.

Krifca: Aplikimi për skemat kombëtare do të bëhet me zero dokumente, që do të thotë nga 13 dokumente që detyroheshit t’i mblidhnit nëpër zyra shtetërore, tani do t’i bëni nga portali E-Albania. Aty do të asistoheni nga staf i AZHBR-së. Edhe kostoja që kurseni shkon nga 10 mijë lekë të reja në zero lekë. Për sa i përket grandeve, pa dyshim ne do të kërkojmë dosje serioze, të bëhen investime serioze që të japin kontribut në mënyrë që të rrisim eksportet.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj foli dhe për sa i përket mbipopullimit të kryeqytetit dhe zonave urbane duke shtruar si zgjidhje të problemit kthimin e vëmëndjes nga zonat rurale me investime për zhvillimin e tyre.

Veliaj: Mesatarisht në Tiranë, transferohen 70 veta në ditë. Pra për qytetet, për zonat urbane të qyteteve po bëhet një sfidë e vërtetë menaxhimi i kësaj rritje të popullsisë. Por unë besoj se nga problem kjo mund të kthehet në potencial. Në momentin që Bashkia vë rrugën, Ministria e Turizmit bën brendimin e bujtinave, Ministria e Bujqësisë, fuqizon këta sipërmarrës të vegjël, atëherë ky mozaik prodhon rezultat ekonomik. 

Nga ana tjetër, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi evidentoi një projekt i cili pritet të përmbushet deri në vitin 2020 me pasurimin e vendit me 20 milion e 200 mijë pemë dekorative dhe frutore të cilat pritet të kthehen në burim ekonomie.

Klosi: Projekti i madh i prezantuar nga kryeministri, për të prodhuar në Shqipëri një vlerë që mbase shumë shpejt do të ketë vlerë unikale, mbjellja e 20 e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020.

Panairi "Shqipëria punon Tokën"do të zgjas dy ditë dhe në të marrin pjesë 500 ekspozues.

EMISIONET