Viti i transformimit rrënjësor!

Viti i transformimit rrënjësor!

Fillimi i punës përgatitore për procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE-në, apo siç njihet ndryshe “procesi screening” përbë një moment të  rëndësishëm për Shqipërinë si në aspektin politik ashtu dhe në atë institucional. Para nesh shfaqet mundësia më e mirë e ndërveprimit të ndërsjellë mes Komisionit Europian dhe institucioneve shqiptare në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Nuk ka asnjë  dilemë  se ky është  një  proces sfidues i cili pritet të depërtojë në zemër të shtetit. Ne kemi një pasqyrë të qartë për sfidat dhe përgjegjësitë që na presin. Pesë janë drejtimet kryesore ku do të përqendrohen energjitë tona me qëllim shfrytëzimin e kë saj mundësie me efektivitet të plotë.

Së pari, në konsolidimin e procesit të reformave në pajtim me gjetjet e Raportit të Komisionit Europian dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së. Negociatat janë në horizontin e 2019 dhe ne duhet të thellojmë kursin e reformave me të njëjtën vendosmëri, pavarësisht rezistencës së aktorëve të ndryshëm politik.

Së dyti, konsolidimi i procesit të reformave kryesisht në fushat e sundimit të së drejtës në ekonomi është i lidhur ngushtë dhe merr shtysë të re nga fillimi i procesit të screening, për aq kohë sa angazhimet tona vijnë në rritje. Përmes këtij procesi transformues, jo vetëm në kuptimin ligjor e institucional por edhe ekonomik e shoqëror, vendi hyn në një rrugë të pakthyeshme ku dallimi mes “kombëtares” dhe “europianes” fillon e fashitet, duke normuar kësisoj sjelljen dhe veprimtarinë institucionale në përputhje me acquis e BE.

Nga sot ne vendosim me Komisionin Europian një kalendar konkret takimesh deri në pranverë n e 2019 për çdo kapitull të acquis. Takime të cilat do të njohin më në thellësi institucionet tona me gamën e detyrimeve dhe angazhimeve që burojnë prej kapitujve të acquis, duke krijuar në radhë të parë një kuptim më të drejtë rreth nivelit tonë të përputhshmërisë dhe një planfikim më strategjik për hapat që duhen hedhur në drejtim të përputhshmërisë së plotë.

Ne e konceptojmë këtë proces të dyanshëm ku shpjegimi i gamës së detyrimeve që burojnë nga kapitujt e acquis dhe angazhimet e pritshme të vendit tonë, do të shoqërohen me ofrimin e ekspertizës së BE-së. Gjithashtu, ne do të ndërtojmë edhe mbi eksperiencën e vyer të pranverës së 2017, për sa i takon punës së përbashkët përgatitore që kemi bërë me Komisionin Europian në lidhje me detyrimet që burojnë nga kapitujt 23 dhe 24 të acquis.

Së treti, procesi screening që i paraprin bisedimeve për anëtarësim në BE dhe ai i zbatimit të detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që do të vijojë deri ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE do të ndërthuren e do të ndërtojnë mbi njëri-tjetrin.

Në këtë kontekst, puna e Këshillit të Stabilizim Asociimit, Komitetit të Stabilizim Asociimit dhe nënkomiteteve sektoriale për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit  duhet të plotësojë dhe ushqejë procesin analitik që nisim sot.

Konvergimi i strukturave bashkërenduese të procesit screening që i paraprin procesit të negociimit me Bashkimin Europian me ato bashkërenduese për zbatimin e detyrimeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ka rëndësi kritike, sidomos për vende të vogla si Shqipëria me burime administrative e njerëzore të kufizuara.

Së katërti, fuqizimi progresiv dhe shndërrimi i strukturave ekzistuese në Ministrinë  për Europën dhe Punët e Jashtme dhe në institucionet e linjës, në strukturat bashkërenduese të procesit të screening, që nis nga dita e sotme.

Ky proces ka dy anë të të njëjtës medalje. Nga njëra anë fuqizimi me burime njerëzore dhe financiare dhe nga ana tjetër, planifikimi më strategjik dhe i qëndrueshëm, i strukturave ekzistuese në funksion të bashkërendimit ndërinstitucional dhe monitorimit të procesit.

Por suksesi i kësaj pune të madhe do të varet nga gatishmëria e të gjitha institucioneve si në nivelin teknik e administrativ ashtu edhe të  gjithë  aktorëve politik. Cilësia dhe shpejtësia e këtij procesi varet nga kontributi dhe përgjegjshmëria e secilit prej nesh.

Së fundmi, komunikimi i këtij procesi ka rëndësi themelore pasi impakti i tij shkon përtej mureve të institucioneve. Ky proces përfshin grupet e interesit, biznesin, shoqërinë civile, botën akademike dhe atë të ekspertëve. E mbi të gjitha të rinjtë e këtij vendi që do të jenë përfituesit kryesor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Ne duam të përfshijmë në këtë proces të gjithë ekspertizën më të mirë vendase dhe të huaj, shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut e dëshirojnë të kontribuojnë për këtë objektiv madhor të vendit. Për ta kthyer këtë proces në suksesin e dëshiruar nga të gjithë.

EMISIONET