Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro inspektuan sot punimet që po kryhen për rehabilitimin e aksit rrugor Vorë-Kthesa e Rinasit-Fushë Krujë.

Ndërhyrja në këtë aks kryhet në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen me performancë të akseve rrugore dhe parashikon rehabilitimin e plotë të nënshtresave dhe paketë të plotë asfaltike në 11 kilometra rrugë.

“Sot kemi mbaruar gati gjysmën, kemi arritur deri në Kthesën e Rinasit dhe kemi të bëjmë me një rehabilitim të plotë dhe të thellë sipas standardeve më të mira. Jemi duke punuar nga Rinasi deri në Fushë Krujë. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës, ka mundësi aksesi e lëvizjeje si për banorët e zonës apo doganën e Tiranës përmes rrugës paralele. Me ritmin që po ecet, mendojmë të mbarojë shumë më shpejt se afati i kërkuar”, theksoi drejtori i ARRSH-së Afrim Qendro.

Investimi i parashikuar shkon në 4.3 milion euro dhe prek gjithashtu edhe gjithë sinjalistikën vertikale e horizontale.

Ndërkaq, ministri Gjiknuri duke e cilësuar si aks të rëndësishëm nënvizoi nevojën për të mirëmbajtur rrugët edhe në aspektin e disiplinës së lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë

Gjiknuri:"Është një aks me rëndësi që lidh autostradën Tiranë-Durrës me pjesën e veriut të vendit. Na lind një detyrë që shumë shpejt do të kthehet në një aksion. Të mos lejojmë më kamionë mbipeshë të cilët janë shkatërruesit e vërtetë të rrugës. Ata e shkatërruan autostradën Tiranë-Durrës, ata mund ta shkatërrojnë edhe këtë rrugë në vitet në vijim më shpejt nëse do lejohen mbingarkesat. Vihet re ky fenomen, kamionë që mbingarkohen me krom apo material të tjera. Shumë shpejt do të fillojmë një aksion me Policinë e Shtetit që të kontrollojnë që mos lejojmë më lëvizjen e tyre në mbipeshë”

Në vlerësimin e tij, ndërhyrja duhet të garantojë që këto investime të rëndësishme që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë të kenë mundësi të jetojnë sa më gjatë.

/Ora News.tv/