Kosova nuk njeh rival në Europë. Kombëtarja dardane zhvilloi një takim fantastik kundër Republikës Çeke, të cilën e mposhti me rezultatin e ngushtë 2-1. Një fitore e arritur me përmbysje kjo nga ana e djemve të drejtuar nga Challandes, që e gjenden vetën në disavantazh të një goli pas çerek ore lojë.

Schick lëvizi bukur në zonë dhe me një goditje me të majtën mposhti Muriç. Gjithsesi, sulmuesi më në formë i momentit, Vedat Muriqi vendosi shpejt ekuilibrat. Lojtari më i ri i Fenerbahce i vodhi kohën mbrojtësit kundërshtarë dhe me një prekje të lehtë shndërroi në gol një krosim tokazi të Rashanit.

Me rikthimin në fushë, Challandes bëri lëvizjet fituese, teksa vendin e Rashanit dhe Zhegrovës e mori Valon Berisha dhe Muslija. Ishte pikërish mesfushori i Lazios, Berisha që ekzekutoi saktë një goditje këndi.

Topi i hedhur tokazi në zonë shkoi në këmbët e Vojvodës, i cili me mjeshtëri e dërgoi në cepin më të largët të portës mike. Kaq mjaftoi dhe Kosova koleksionoi takimin e 15-të pa humbje. Pas kësaj fitoreje, Kosova qëndron e para me 8 pikë. 


/Ora News.tv/