Video/ Balaj e Strakosha "kërcënojnë" Francën: Të detyruar të pretendojmë për pikë

Video/ Balaj e Strakosha "kërcënojnë" Francën:

Ditën e sotme ka filluar grumbullimi i ekipit Kombëtar në prag të ndeshjeve kualifikuese kundër Francës në 7 Shtator dhe ndaj Islandës në “Elbasan Arena” më 10 Shtator.

Për të folur për grumbullimin dhe dy sfidat kualifikuese, në konferencën për shtyp kanë dalë dy lojtarët kyç të ekipit, sulmuesi, Bekim Balaj dhe portieri i Lazios, Thomas Strakosha. Në fjalën e tij, Balaj u shfaq optimist në prag të ndeshjeve me Francën dhe Islandën:

“Përqendrimi dhe vlerësimi është maksimal. Dihet forca e kundërshtarëve që kemi përpara. Shpresoj që grupi të jetë gati dhe t’i përballojmë. Do të pretendojmë të marrim pikë edhe në Francë. Me Francën kemi eksperiencë deri diku pozitive. Jemi të detyruar të pretendojmë për pikë. Më vjen mirë që vij në ekip kombëtar me gola. Forma dhe minutazhi ndikojnë. Vij nga një moment i mirë. Ndeshjet i kam luajtur të plota. Shpresoj që ecuria pozitive të vazhdojë edhe në ndeshjet e ekipit Kombëtar. Trajneri më përgëzoi për golat dhe aktivizimin. Në ekipin Kombëtar dëshira është e të gjithëve për të luajtur. Në fund është trajneri që bën zgjedhjen. Normalisht që ai do të bëjë zgjedhjen e duhur. Të shohim. Nuk është momenti që të plotësojnë tekat apo dëshirat tona. Misteri e ka përgatitur maksimalisht ndeshjen dhe e di mënyrën si do të luajë ekipi”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe portieri Strakosha, i cili u shfaq i lumtur për rikthimin në skuadër pas dëmtimit që e la jashtë për ndeshjet e Qershorit me Islandën dhe Moldavinë.

“Shyqyr Zotit që kësaj here erdha në kohë. Gjithçka perfekte. Ne kemi kualitetet, këtë gjë e kemi treguar. Tani thjesht duhet të bëjmë një grup të fortë dhe të jemi gjithmonë pozitivë. Vitin e kaluar humbëm grupin që kishim. Vetëm si grup mund të bëjmë diçka të mirë. Po të kemi grupin, kemi shans të kualifikohemi. Këto 2 ndeshje do të tregojnë nëse do të jemi në garë për t’u kualifikuar apo jo. E dimë të gjithë që janë ndeshje të rëndësishme, por nuk duhet të mbingarkohemi. Duhet të jemi pozitivë, të stërvitemi mirë dhe të shohim çfarë do ndodhi. Të dyja janë sfida të rëndësishme. E ka trajneri në dorë se kush do aktivizohet. Unë ndihem mirë. Berisha apo Strakosha në portë? Unë gjithmonë e kam thënë, konkurrenca është pozitive. Njihem me Berishën prej 6 vitesh. Në Kombëtare nuk ka rëndësi kush do luajë, rëndësi ka që ne të fitojmë. Kush luan e ka trajneri në dorë. Trajneri Reja? Rejën e kam njohur vitin e parë kur isha te Lacio. Unë shikoj që është pozitiv me ne. Për mua kjo është gjëja e rëndësishme. Ne vijmë vetëm 10 ditë me ekipi Kombëtar dhe nuk mund të ndryshojmë shumë gjëra. Çfarë kemi duhet ta japim në fushë. Për mua e bën mirë punën. Këto 2 ndeshjet janë më të rëndësishme. Unë ndihem mirë dhe jam gati! Prandaj jam këtu”, u shpreh Strakosha.

EMISIONET