VIDEO/ Ajax ngec në Qipro, ish-sulmuesi i Skënderbeut afrohet me grupet e Champions League

VIDEO/ Ajax ngec në Qipro, ish-sulmuesi i Skënderbeut afrohet me

Janë luajtur 3 takimet e para të fazës play-off të Ligës së Kampionëve për sezonin 2019-2020. Gjysmëfinalistët e sezonit të shkuar, Ajax e shtyu çështjen e kualifikimit në grupet e Champions për në Amsterdam, pasi në Qipro përballë APOEL Nicosias nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0.

Largimi i De Jong si dhe i De Ligt duket se ka dobësuar shumë ekipin e Ten Haag, i cili përveçse nuk shënoi e mbylli takimin me 10 futbollistë. Kjo për shkak se marokenin, Mazraoui "e tradhëtuan" nervat, duke u larguar me karton të kuq 10 minuta përpara fundit.

Fitore shprese mori Slavia e Pragës, që kaloi minimalisht, 1-0 Cluj. Përballë rumunëve luajti për 90 minuta edhe ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olayinka, por autor i golit ishte Masopust. Mesfushori me tipare sulmuese lëshoi një goditje të kalibruar nga jashtë zonës, duke vulosur rezultatin e takimit të luajtur në Rumani dhe duke afruar akoma dhe më shumë çekët me fazën e grupeve të Champions.

Me rezultat 1-0 u mbyll edhe takimi i Austrisë, me Club Brugge që vendosi diktatin në transfertë ndaj LASK Linz. Goli i vetëm u shënua nga Vanaken në minutën e 10-të. Mesfushori ekzekutoi saktë një penallti, duke i vendosur belgët si kandidat potencial për të kaluar në grupet e Ligës së Kampionëve. Takimet e kthimit luhen javën e tjetër, ndërsa aktet e para të 3 takimeve të mbetura do zhvillohen nesër.



EMISIONET