"Vëzhgimi" kap hajdutët në banesë, autorë edhe të 4 vjedhjeve të tjera

"Vëzhgimi" kap hajdutët në banesë, autorë

Dy të rinj nga Kavaja kanë rënë në prangat e policisë gjatë mëngjesit të sotëm me akuzën e vjedhjes.  

Operacioni policor i koduar "Vëzhgimi" çoi në arrestimin e shtetasve  N.,R 33 vjeç dhe A.H.,37 vjeç, të dy banues në Kavajë dhe të dënuar më parë për "Vjedhje".

"Shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Kavajë, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për dy shtetas që dyshoheshin se kryenin vjedhje të banesave dhe lokaleve në Kavajë, kanë organizuar punën duke mbajtur nën vëzhgim dy shtetasit e dyshuar.Si rezultat i mbajtjes nën vëzhgim nga shërbimet policore u bë e mundur që gjatë operacionit të koduar "Vëzhgimi", në orët e para të mëngjesit të sotëm,  të kapeshin në flagrancë në banesën e shtetasit A.M, ku kishin hyrë për të vjedhur" njofton policia.

Shtetasit A.H gjatë kontrollit të ushtruar  në automjet ju gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël  lëndë narkotike e ndarë në doza.

Në vijim të hetimeve, bazuar edhe në provat e grumbulluara dyshohet se këta shtetas janë autorë dhe të 4 vjedhjeve të tjera të banesave të  ndodhura gjatë muajit prill në Kavajë , ku kanë vjedhur televizorë, orendi shtëpiake, bizhuteri e sende të tjera.

Materialet proceduriale do ti referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


EMISIONET