Dyqanet e basteve ose kazinotë po transformohen një plagë sociale për shoqërinë shqiptare.Në kryeqytet ato mbizotërojnë në çdo pallat apo pranë institucioneve shtetërore e arsimore. Në 2016, qeveria miratoi një ligj i cili parashikonte zhvendosjen e tyre në zonat periferike por një grup deputetësh të maxhorancës kërkuan shtyrjen me dy vite, për ti lënë kohë këtyre subjekteve që të transferohen.

Sapo del në rrugë, gjëja e parë me të cilën ndeshesh në kryeqytet janë pikat e basteve dhe të lotove.
Janë të vendosura shumë pranë njëra-tjetrës dhe shumë pranë pallateve, e madje edhe shkollave, duke u transformuar në një plagë sociale për shoqërinë shqiptare.

Para dy viteve në parlament u diskutura një projektligj i cili vendoste zhvendosjen e lojërave të fatit në periferi të kryeqytetit por vetëm një muaj para afatit për zhvendosjen e lojërave të fatit në zonat periferike, deputetë të maxhorancës në parlament kanë depozituar një amendament ku kërkohet që afati të shtyhet.

Por çfarë parashikon ligji? Në të përcaktohej që pikat e basteve të ishin mbi 200 metra larg disa institucioneve si shkollat apo edhe institucionet fetare dhe distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit duhet të jenë jo më pak se 100 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet.

Tashmë të gjitha subjektet që ushtrojnë këtë aktivitet kanë afat deri në 31 dhjetor 2018 për të marrë masa dhe për të ndryshuar vendodhjen.

/Ora News.tv/