Zv-ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj deklaroi se punonjësit e policisë që po plotësojnë formularët e vettingut, kanë kohë edhe 18 ditë, pasi nuk do të ketë shtyrje afati. Nisur nga problematikat që kanë paraqitur vetë efektivët e policisë, Hodaj tha se janë krijuar struktura ndihmuese për ta.

Edhe 18 ditë kohë kanë 13 mijë efektivët e Policisë së Shtetit, për të plotësuar formularët e vettingut. Askush prej tyre nuk është i detyruar të sjellë dokumente shtesë, përveç atij të identifikimit dhe vërtetimit të pagës.

Kështu u shpreh zv/ministri i Brendshëm, Juljan Hodaj, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.

Hodaj: Ligji nuk të lejon shtyrje formalisht sepse e përcakton si afat 30 ditor dhe do të thotë se brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi, që mos gaboj i bie data 5 maj, deklarata duhet të dorëzohet. Nuk duhen shoqëruar me dokumenta të tjera shoqëruese, nuk duhen certifikata pronësie, kontrata etj. Nëse dikush do, është i lirë ti vërë në dispozicion.

Hodaj sqaroi se janë krijuar struktura ndihmuese pranë çdo komisariati, ndërsa shtoi se në vetting mund të kalojnë edhe punonjësit e policisë që janë në dispozicion.

Hodaj: Në çdo komisariat dhe post policie ka një përgjegjës për këtë lloj procesi. Që do të thotë punonjësit e policisë e kanë një pikë reference aty ku janë, pa u larguar. Gjithashtu kanë edhe logjistikë në mbështetje. Ata që dëshirojnë ta shfrytëzojnë si mundësi për tu ripranuar në punë në Policinë e Shtetit, do të duhet të deklarojnë njësoj si ata që janë sot.

I pyetur nga Ora News se sa është numri i policëve që kishin dorëzuar tashmë formularët, Hodaj nuk e kishte një shifër të saktë. Zv/ministri dha detaje për anëtarët që do të jenë në komisionet e vlerësimit.

Hodaj: Ka një përfaqësues nga Ministria e Brendshme që e kryeson këtë bord. Në momentin që ky bord mblidhet, i kërkon ILDKPKI-së, universiteteve dhe fakulteteve të propozojnë kandidatët e tyre dhe në bordin përgjedhës, ministria ka vetëm një përzgjedhës nga 5 institucionet që janë të përfshira. Ju e dini, tjerët janë Avokati i Popullit, Shërbimi Informativ Shtetëror, janë dy komisionerët, ai për mbrojtjen nga diskriminimi dhe ai për të drejtën e informimit dhe ruajtjen e privatësisë.

Sindikata e policisë ka thënë se prej 5 prillit, kur nisën edhe plotësimet e para të formularëve për pasurinë, moralin dhe karrierën, një numër i madh efektivësh të policisë kanë shfaqur pakënaqësi dhe paqartësi për procedurën e vettingut mes radhëve të tyre.

/Ora News.tv/