Vetting edhe në burgje, Gjonaj: 2018, viti i reformave të mëdha në sistemin penitenciar
Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka deklaruar se viti 2018 do të jetë viti reformave të mëdha në sistemin penitenciar.
Ajo tha se pas reformës për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj të IEVP-ve do të ndryshojë edhe mënyra e rekrutimit të deritanishëm për punonjësit e burgjeve, të cilët do ti nënshtrohen gjithashtu procesit të vettingut.
Gjonaj:Një punë e madhe po bëhet për ridizenjimin e sistemit penitenciar, përmes një reformimi strukturor dhe ligjor.Këto ligje do të rregullojnë mënyrën e rekrutimit, transferimit, daljes në pension apo dhe shkarkimit të një punonjësi të policisë së Burgjeve, duke i dhënë fund ndërhyrjeve politike dhe duke mundësuar një status të veçantë për punonjësit e policisë së burgjeve.
E pranishme në analizën vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Gjonaj kërkoi rezultate në punë nga ana e drejtuesve të rinj të burgjeve.
Ministrja e Drejtësisë rinënvizoi edhe njëherë detyrat që ata duhet të përmbushin në periudhën tre mujore të provës, detyra që kanë të bëjnë me sigurinë në burgje, luftën ndaj korrupsionit në stafin e institucioneve, dhe mënyrën e trajtimit të të dënuarve.
Ministrja gjithashtu i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe zbatimit të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve, duke theksuar se mosrespektimi apo zbatimi i këtij dokumenti do të jetë përgjegjësia direkte e drejtorëve të Burgjeve.
Në analizën vjetore të punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ishin të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve Arben Çuko si dhe 24 drejtorë të IEVP-ve në vend.