Vetingu në polici nis në shkurt

Vetingu në polici nis në shkurt

Qeveria shqiptare ka miratuar buxhetin me të cilin do të mbulohen pagat dhe shpenzimet e komisioneve që do të realizojnë vettingun në policinë e shtetit.

Ky proces parashikohej të fillonte në muajin janar, por zbatimi u shty për shkak të problemeve buxhetore të cilat tashmë duket se kanë marrë rrugën e zgjidhjes.

Vendimi i qeverisë me numër 14, i miratuar në datë 16 janar 2019 është publikuar në Fletoren Zyrtare duke përcaktuar një fond prej 42 milionë lekësh për mbulimin e shpenzimeve financiare.

Burime nga ministria e Brendshme thanë për Ora News se pas këtij vendimi të qeverisë, procesi i vettingut do të nisë në fillim të muajit shkurt. Ky proces përfshin kontrollin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe vlerësimin profesional.

Në vendimin e Këshillit të Ministrave të publikuar në fletoren zyrtare, thuhet se është miratuar trajtimi financiar për organet e vlerësimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme.

Procesit të vetingut pritet t'i nënshtrohen rreth 11 mijë punonjës të policisë së shtetit, ndërsa më herët para se të plotësohej formulari, kanë dhënë dorëheqjen nga radhët e bluve rreth 500 oficerë.

EMISIONET