Pas Kryeministrit Rama dhe zërave të tjerë brenda Partisë Socialiste, edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi shprehet se vetting i politikanëve është objekt i reformës në drejtësi. Me këtë deklaratë nga qyteti i Fierit, kryeparlamentari i dha sinjal PD se ndryshimi Kushtetues është i panevojshëm, pavarësisht se është në tryezë dhe do të diskutohet mes palëve sipas procedurave parlamentare.

Ruçi: Sigurisht që vettingu për politikanët tashmë është diskutuar në të kaluarën: qoftë me ligjin organik, të cilin e ka miratuar me një konsensus të gjerë parlamenti shqiptar, siç është 'ligji për dekriminalizimin', ashtu sikurse edhe pjesë e vettingut të ligjor të politikanëve, janë objekt i reformës në drejtësi.

Megjithatë, le të presim. Nisma është prezente, është në tavolinë të diskutimit, do të diskutohet, do të gjykohet dhe do të vendoset në momentin e duhur.

Ruçi tha se kjo nisëm e PD është publikuar në faqen e Kuvendit dhe është vënë në dispozicion deputetëve, duke iu përgjigjur kështu akzuave të Bashës gjatë ditës së enjtë se kryeparlamentari me urdhër të Ramës nuk e publikon në faqen online.

Ruçi: Ka ditë që ky draft është paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas procedurave parlamentare, dje ka qenë afati për të njoftuar seancën e Parlamentit, është futur në programin e parlamentit, është shumëzuar dhe u është vënë në dispozicion deputetëve, është botuar në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë.

Pas dy javëve nga data e depozitimit, do mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, i cili do të bëjë një program enkas për njohjen, diskutimin dhe për materialin ose mendimin që Këshilli i Legjislacionit, në mbledhjen e përbashkët me Komisionin e Ligjeve, do ia parashtrojë seancës plenare. Do miratohet apo jo, është shumë shpejt për të dhënë unë verdiktin. Unë jam kryetari i parlamentit dhe drejtues i kësaj mbledhjeje, kështu që më ndalohet të them: do miratohet apo nuk do miratohet.

Partia Demokratike  ka propozuar nismën, e cila kërkon mbështetjen e të gjitha forcave politike, për për realizimin e vettingut ndaj deputetëve, Kryeministrit, ministrave, kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve kushtetuese.




/Ora News.tv/