Një 71 vjeçar i dha fund jetës në Korçë për ti shpëtuar arrestimit për vrasjen dhe grabitjen e kunatit 57-vjeçar në Korçë. Sipas policisë ai përdori të njëjtën armë me të cilën kreu krimin.

Kunati 71-vjeçar Sefedin Zenellari është autori i dyshuar i vrasjes së 57-vjeçar Gramoz Nako, mbrëmjen e të hënës.

Por i moshuari kreu aktin ekstrem të vetëvrasjes për t'i shpëtuar arrestimit dhe përballjes me drejtësinë për krimin.

Kur policia shkoi në banesën e tij për ta shoqëruar si të dyshuar për vrasjen e kunatit, ai i dha fund jetës.

Sipas policisë Zenellari u mbyll në një dhomë të shtëpisë ku jetonte i vetëm dhe përdori të njëjtën armë me të cilën dyshohet se vrau kunatin disa orë më herët.

Gramoz Nako, emigrant në Amerikë u gjet i vrarë në banesën e tij në Korçë nga bashkëshortja.

Fillimisht u dyshua vetëvrasje, por provat në vendngjarje e ndryshuan rrjedhën e hetimit.

Mbi bazë të tyre policia kishte arritur deri tek 71 vjeçari si i dyshuar ndërsa ka ndërtuar edhe një skemë të ngjarjes.

Grupi hetimor dyshon se krimi pasoi një konflikt mes dy burrave.

Në rrobat dhe trupin e Gramoz Nakos u gjetën shenja përleshjeje, dhe dy plumba.

Ndërsa pas krimit, 71 vjeçari ka dyshime se e ka grabitur kunatin.

Sipas familjarëve në banesë mungojnë 13 mijë euro, të cilat ka dyshime se i mori i moshuari.

Çifti Nako, jetonin në Amerikë dhe sipas familjarëve kishin pak ditë që ishin kthyer në vendlindje.

Policia thotë se ende po vijon hetimet për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjeve që tronditën Korçën.

Flasin shokët e 71-vjeçarit në Korçë: Ishte i ndarë nga gruaja, por nuk tregonte

Shokët e 71-vjeçarit Sefedin Zenellarit, i cili vrau veten sot në Korçë thonë se ai ishte njeri i qetë, por shumë i mbyllur. Duke folur për kamerat, ata thonë se ai ishte i divorcuar nga gruaja, por nuk tregonte.

"Ka qenë njeri i qetë, i thellë shumë. Nuk fliste me shoqërinë. Ishte e ndarë nga gruaja, kishte vite, ne e kuptonim, por nuk na thoshte. Një djalë e ka në Greqi, një çupë e ka martuar në Amerikë". 

"Nuk e dimë mirë, ai nuk hapej. Më duket se është edhe i ndarë nga gruaja, por nuk na thoshte. Me kunatin, nuk dimë gjë. Nuk fliste". 

Njoftimi i policisë

Në vijim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr 7, ku në banesën e tij, u gjet i vrarë me armë zjarri tip pistoletë shtetasi G.N, 57 vjeç informojmë se:

Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është kunati i tij shtetasi S.Z, 71 vjeç, banues në Korçë, i cili mëngjesin e datës 09.07.2019, në momentin kur shërbimet e Policisë kanë shkuar për ta shoqëruar në Komisariat, ky shtetas është vetvrarë me armë zjarri tip pistoletë, në banesën e tij ku jetonte i vetëm.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(Në foto, Gramoz Nako personi i cili u vra dje)

/Ora News.tv/