Një baba indian, i cili nuk donte të braktiste fshatin e tij të izoluar, si pjesa tjetër e banorëve vendas,  në vend të kësaj vendosi të bënte një punë të lavdërueshme mes kodrave, duke hapur një rrugë të re. Rruga u mundësoi tre djemve të tij të udhëtonin për në shkollë në qytetin më të afërt.

Familja e Jalandhar Nayak është e fundit e mbetur në fshatin Gumsahi në shtetin Odisha të Indisë Lindore. Të gjithë banorët e tjerë janë larguar për shkak se fshati ishte tejet i izoluar nga rrjeti rrugor rajonal dhe i mungonin disa lehtësi themelore.

Por Nayak nuk pranoi të largohej. Në vend të kësaj, ai përdorte një çekiç, një kazmë dhe një daltë. Duke punuar 8 orë në ditë, ai arriti të hapte 8 km rrugë nëpër kodra që ndanin fshatin e tij me zonat përreth.

Për këtë punë, ju deshën dy vite.

Plani i tij fillestar ishte të kalonte edhe tre vjet në një projekt që përfshin 15 km për të lidhur fshatin në një rrugë që të çon në qytetin e afërt të Phulbanit. Fëmijët e tij ndjekin shkollën aty, por rruga e ngushtë që duhej të përdoreshin ishte mjaft e rrezikshme, tha ai për Kalinga TV.

"Fëmijët e mi e kanë të vështirë të ecin në shtegun e ngushtë dhe me gurë, duke shkuar në shkollën e tyre. Shpesh i pashë ata të pengoheshin nga gurët dhe vendosa të gjeja një rrugë nëpër mal, në mënyrë që ata të mund të ecnin lirisht", tha ai.

Përpjekja epike mbeti e panjohur për publikun e gjerë në Indi deri më 9 janar, sipas Hindustan Times. Një raport mbi historinë e 45-vjeçarit, e cila u botua në një gazetë vendase, kapi syrin e një fondi qeveritar të dedikuar për zhvillimin rural, i cili vendosi të shpërblejë babanë e përkushtuar për punën e tij.

"Përpjekjet dhe vendosmëria e Nayak për të prerë malet për të ndërtuar një rrugë më la gojëhapur. Ai do të paguhet ... për të gjitha ditët që ka punuar", u tha gazetarëve menaxheri i fondit, Brundha D.

/Ora News.tv/