Vështirësi në prodhimin e "Tesla 3", kompania raporton humbje

Vështirësi në prodhimin e "Tesla 3", kompania raporton

Për disa javë, shumë veta kanë pyetur nëse Tesla kishte zgjidhur sfidat e prodhimit të  modelit 3. Të mërkurën, Tesla dha një përgjigje: Jo ende.

"Ndërkohë që ne vazhdojmë të bëjmë përparim të rëndësishëm në ndreqjen e problemeve të vogla të modelit 3, natyra e sfidave të prodhimit e bën të vështirë të parashikohet saktësisht se sa kohë do të duhet për t'u tejkaluar të gjitha pengesat ose kur do të shfaqen të tjera", tha kompania në deklaratën e saj tremujore për investitorët.

Kompania tha se kishte dorëzuar vetëm 222 Modele 3, larg nga qëllimi i saj për të prodhuar 1,500. Përfaqësuesit e kompanisë nuk pranuan të thonë saktësisht se sa Tesla Model 3 do të prodhohen deri në fund të vitit, por parashikuan se numri do të ishte me mijëra, raporton prestigjozja New York Times.

Ndërkohë Tesla ka pësuar një humbje më të madhe sesa analistët parashikuan. Kompania raportoi një humbje prej 671.1 milion dollarë, krahasuar me një fitim prej 21.9 milion, për të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.

Të ardhurat ishin 2.98 miliardë dollarë për periudhën tre mujore, nga afërsisht 2.30 miliardë dollarë një vit më parë.

Kompania tha se problemet kryesore të prodhimit të modelit 3 po ndodhin në "Gigafactory 1", objektin masiv të baterive të kompanisë në Nevada, ku inxhinierët kanë luftuar për të automatizuar procesin e prodhimit.

Elon Musk, ideatori i makinave elektrike Tesla, parashikoi se kompania do të arrijë të prodhojë 5,000 automjete Model 3 në javë nga fundi i tremujorit të parë të 2018-s.

Trip Chowdry, një analist i lartë në hulumtimet ekonomike globale, tha se investitorët nuk kanë pse të jenë në panik për vonesat gjatë prodhimit. Rezultatet financiare, argumentoi ai, nënkuptojnë pak kur analizohen perspektivat afatgjata të një kompanie që po krijon një industri të re.

/oranews.tv/

EMISIONET