Shqipëria nuk përfitoi asnjë financim për projektet e ndërlidhjes, transportit, infrastrukturës dhe energjisë nga Bashkimi Europian në bashkëpunim me Bankën Europian të Investimeve, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka KfW.

Në samitin e Poznanit mbi Ballkanin Perëndimor që u mbajt më 4 dhe 5 korrik, Bashkimi Europian dhe partnerët e tij financiarë u zotuan të shpenzojnë në transport dhe energji 180 milionë euro, kryesisht në projekte hekurudhore e rrugore.

Dixhitalizimi është një pikë e rëndësishme dhe gjatë samitit u vlerësua fillimi i zbatimit të marrëveshjes për roaming-un ballkanik.

Për zhvillimin ekonomik do të shpenzohen 150 milionë euro në mbështetje biznesit privat, ndërsa fonde do të ketë edhe për integrimin e komunitetit rom.

Komisioni Europian njoftoi grante të reja prej 1.65 milionë euro për tri projekte për të mbështetur zhvillimin e rrjeteve kombëtare të lidhjes me internet dhe për të përmirësuar lidhjen dixhitale në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Maqedoninë Veriore.

Bosnjë Hercegovina do të jetë përfituesja më e madhe e granteve nga BE-ja për projektet e transportit. Në samitin e Poznanit u miratua fondi prej 96.8 milionë eurosh për Korridorin Vc.

Maqedonia e Veriut përfitoi 43 milionë euro nga BE-ja për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, hekurudhës me Serbinë dhe 13 milionë euro për ndërtimin e nyjës së gazsjellësit me Greqinë.

Kosova dhe Serbia përfituan respektivisht nga 26.8 dhe 12.8 milionë euro. Në Kosovë, BE-ja do të financojë rrjetin kombëtar të hekurudhës, ndërsa në Serbi financimet do të shkojnë për linjën e interkonjeksionit 400 kw Obrenovac-Bajina Basta.

Bashkimi Europian pret që vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor të rrisin standardin e jetesës dhe nivelin e zhvillimit ekonomik përpara se t’i bashkohen bllokut. Për këtë nga viti 2015 ka filluar ai që njihet si Procesi i Berlinit, me nismën e kancelares gjermane Angela Merkel.

Edhe nga të dhënat e përgjithshme të projekteve të financuara nga BE-ja në kuadër të procesit të Berlinit, Shqipëria ndonëse vend kandiat, ka përfituar më pak financime se të gjitha vendet e tjera.



/Ora News.tv/