Një vendbanim antik që lulëzoi mes shekujve  6-3 para Lindjes së Krishtit po del në dritë në kodrën e Babunjës në Divjakë. Një mision shqiptaro-gjerman ka nxjerrë në dritë muret fortifikuese, banesa e rrugë, ndërsa po studion arsyet e braktisjes së menjëhershme të vendbanimit.

Rrënojat e një vendbanimi të lashtë po dalin në dritë në Babunjë të Divjakës.

Arkeologë shqiptarë e gjermanë që po punojnë aty prej disa javësh kanë zbuluar në rreth 3 metra thellësi pjesë  mureve fortifikuese , banesa e rrugë.

Eduard Shehi: Kemi zbuluar pjesë të një banese, pjesë të një rruge dhe ndoshta një kryqëzimi.Synimi është të zgjerohet territori më shumë për të kapur më qartë planimetritë e banesave dhe shtrirjen më të mirë dhe më të saktë të rrugës së zbuluar dhe evolimin e saj kronologjik ndër shekuj.

Ekipi i arkeologëve beson se bëhet fjalë për një vendbanim të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtë para Krishtit dhe që ka qenë e banueshme deri në shekullin e tretë para Krishtit.

Eduard Shehi: Si vendbanim mendojmë se mund ta ketë pasur jetën në gjysmën e dytë të shekullit të gjashtë. Megjithëse ka disa të dhëna që të bëjnë të dyshosh për diçka më herët. Ndërsa fundi i saj mendohet në shekullin e katër ose të tretë para Krishtit me një fund të paqartë braktisje të qytetit për arsye që mbeten për tu kuptuar dhe studiuar më tej në të ardhmen.

Qëllimi i projektit është të krijojë një hartë të qyteteve antike të Shqipërisë sikurse lidhjeve mes tyre.

Eduard Shehi: Jo vetëm çështjen e Apolonisë që është qendra më e madhe pranë saj por edhe me një seri qendrash më të vogla që ndoshta nuk ishin qytete të fortifikuara, mund të kenë qenë dhe fshatra.

Gjetjet pritet e këtij misioni por dhe gërmimet e ardhshme pritet të hedhin më shumë dritë mbi jetën dhe veprimtarinë mbi këtë vendbanim që ende nuk është identifikuar me emrin antik, dhe që ndodhet pranë qytetit të Arnisës.

/Ora News.tv/