Kreu i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj, deklaron se ndërhyrja në Teatrin Kombëtar është emergjente. Duke folur në një takim me komunitetin e artistëve, i shoqëruar dhe nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Veliaj tha se ndërtesa nuk plotëson asnjë parametër sigurie dhe as kushtet më minimale për artistët.

Veliaj doli me ofertë për artistët duke u propozuar artistëve të caktojnë një përfaqësi  që bashkë me të jenë pjesë e procesit.

Veliaj: Të paktën këtë vit ta kalojmë duke u mbledhur dhe duke avancuar. Bëjmë një negociatë.Të gjithë biem dakord që na duhet një gjë e re, hajt ta flasim. Ky nuk është ligj as për të prishur teatrin dhe as ndërtuar teatrin e ri, ky ligj thotë: Ne kemi një ofertë, kemi një propozim a mund ta konsiderojmë dhe të caktojmë një palë negociatore dhe të shkojmë tek arkitekti.Siç thotë tironsit, "na ka ardhur zogu në dorë, a mund ta shfrytëzojmë?"A mund të gjejmë një mënyrë që një shumë të tillë financiare që nuk e përballojmë dot ta aktivizojmë.

Kreu i Bashkisë deklaroi ky debat për një teatër të ri daton që në 98, kur vetë artistët shprehnin pakënaqësi për kushtet e tyre të punës.

Degradimi filloi 64 vite më parë

Veliaj deklaroi se që në 1954 Ministria e Industrisë dhe Ndërtimit ka një korrespondencë me Drejtorinë e Teatrit Popullor ku shpreh mendimin që teatri të transferohet tek salla e Kuvendit popullor sepse nuk përmbush kushtet.

Erion Veliaj: Argumenti për vlerat arkitekturore, nuk e ekzagjeroj po ta krahasoj situatën që ka sot Teatri Kombëtar me një situatë pak metra më tutje tek Pazari i Ri.Vlera historike është një gjë, kjo ndërtesë përtej vlerave historike në integritetin e saj fizik nuk përmbush asnjë nga kushet për të qenë Teatër Kombëtar për të qenë krenar. Vendi i vetëm në botë ku emra të mëdhenj të artit skenik nuk duhet të përformojnë në një godinë me kushte të tila fizike. Të gjthë e dimë që kjo është konceptuar si godinë e përkohshme. Mjafton ti referohemi italianëve, u ndërtua në vitet '38 si një vend polifunksionar për të pasur një funksion 7-8 vjeçar deri në mbarim të luftës.

Me tej Veliaj tha se studimi shkencor i vitit 2007-2008, “Architettura Moderna italiane per le citta D’Albania,” publikom raporte të italianëve ku theksohet se qëllimi i ndërtimit të kësaj godine që në 1938 nga një kompani italiane ka qenë shfrytëzimi i ambienteve të saj për arsye argëtimi dhe aktivitete sportive. Studimi shkencor sqaron se për shkak të nevojës për të minimizuar kostot në sigtuatë lute, edhe për ndërtimin e kësaj godine që kishte qëllim tjetër, janë përdorur materiale me kosto të ulët, madje materiale skarco, si tallash e alga deti".

“Relacioni i vitit 2014 të Institutit të Monumenteve të Kulturës thotë se Gjendja e përgjithshme e objektit shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë, dhe në mirëmbajtjen e pjesëve të dukshme të tij. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë, nuk ka pasur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij. Akt kontrolli i bërë më 2014 , pa qenë unë kryetar bashkia, pa apasur lidhje me këtë realitet, nga inspektorët e parandalimit pranë shërbimit zjarrfikës të Tiranës konstaton sesa e rrezikshme është situata e zjarrit”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se edhe raporti i 2018 i Institutit të Ndërtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për godinën e Teatrit Kombëtar në 23 mars 2018 thotë se nga inspektimi i situatës së godinës situata paraqitet shumë problematike me përkulje dhe dëmtime në disa zona të soletës dhe me ambiente që nuk ofrojnë kushtet jo vetëm për stafin por edhe për qytetarët që e frekuentojnë.

Kryebashkiaku tha se vendin kryesor për të dhënë një opinion e kanë artistët por teatri nuk është vetëm i artistëve por dhe qytetarëve, atyre që vinë me batanije dhe atyre që plasin vape në verë.

Duhen 30 milion euro për të pasur një Teatër modern

Veliaj tha se investimi për ndërtimin e një teatri të ri kap shifrën e 30 milionë eurove.

Veliaj: Debati populist pse do të vrasim mendjen për teatër dhe kulturë është një debat që nuk ka vend në shoqërinë tonë në 2018. Pyetja është si do të gjejmë paratë dhe sa duhen për të bërë një teatër të tillë? Sipas vlerësimeve tona shkon sa 4-5 fishi i një pallati. Nëse do ti bënim një ekuivalentim për 9500 metra katrorë do të ishin 30 milion euro në mënyrë që të ketë të gjithë parametrat e një Teatri modern.

Ligji nuk propozon prishjen e teatrit

Kryebashkiaku Erion Veliaj i dha një përgjigje edhe pyetjes; Pse në këtë mënyrë investimi, pse është përfshirë bashkia e Tiranës dhe pse ky investitor?

Veliaj: Bashkia e Tiranë është toka imediate, kufitare me pronat private dhe Tetarin. Ky ligj nuk është ligj që propozon prishjen e teatrit, më vjen keq për ata që kanë spekuluar.Ky ligj nuk aprovon as kontratë. Ky ligj thotë se në këtë mori njerëzish t'ia japim tagrin një autoritet që të hapë këtë negociatë, të përfshijë këto opinione.Ky është ligj që thotë zyrtarisht po e hapim këtë diskutim dhe po e konsiderojmë këtë projekt.

Më tej Veliaj renditi listë shumë të gjatë gjërash që duhet të kenë një teatër modern, por që i mungojnë teatrit ekzistues dhe nuk mund të instalohen atje.  Ai shprehu bindjen se sikurse çdo projekt tjetër i Bashkisë së Tiranës, edhe ai për Teatrin e ri do të rezultojë një sukses i vërtetë.


-Biletari  

-Garderobe per spektatoret

 -Zyra per administraten 

-Dhoma zhveshjes per artistet

 -Dushe per aktoret

 -Dhoma provash

 -Dhoma teknike per sisteme kontrolli apo pulti i komandimit 

-Sistem Audio dhe video projektimi 

-Dhoma akustike apo rregjistrimi 

-Infrastrukture rregjistrimi video te shfaqjeve

 -Tualete  per spektatoret te pershtatshme per kapacitetin e teatrit 

-Dalje emergjence 

-Sisteme sigurie

 -Sisteme kundra zjarrit 

-Sisteme qe garantojne energjine elektrike 

-Arkive

 -Dhomat e grimit 

-Salle per te ngrohur muskulaturen perpara performaces se artistit

 -Kostumografia, rrobaqepsi, hapesira pune dhe garderobe 

-Skenografia, Hapesira pune , depo materialesh 

-Hapesire per orkester ne veprat qe e permbajne ate 

-Hapesira prapaskene, mbi skene apo nen skene 

-Krahet e skenes dhe qarkullimi i aktoreve pergjate shfaqjes 

-Dhome konference apo media ku lancohen shfaqjet 

-Hapesira qarkullimi te vecanta per aktoret, administraten dhe publikun

 -Sisteme ndricimi dhe dhoma kontrolli


/Ora News.tv/