Veliaj shërben drekën për njerëzit në nevojë në mensën sociale "Gonxhe Bojaxhiu"

Veliaj shërben drekën për njerëzit në nevojë

Për të qënë më pranë të pamundurëve, siç dhe ishte misioni i Shen Terezës, në ditën e shenjtërimit Bashkia e Tiranës zgjodhi të shtrojë drekë në të gjitha qendrat e saj sociale. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe disa të rinj vullnetarë shërbeu drekën në mjediset e Qendrës Sociale Komunitare në Njësinë 4, e cila nga sot do të quhet, "Gonxhe Bojaxhiu".

Veliaj: “Më vjen mirë që Bashkia e Tiranës e përkujtoi ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, duke shërbyer. Ashtu si ne këtu, po shërben edhe një grup tjetër në Kombinat, një te Ali Demi, një tjetër në Laprakë dhe një te Bregu i Lumit. Më vjen mirë që në të 24 njësitë kjo frymë solidariteti ishte mënyra më e mirë për të kujtuar Nënë Terezën; nga kryetari i Bashkisë, te këshilltarët, nënkryetarët, të gjithë drejtuesit e bashkisë janë shpërndarë në qytet për të shërbyer”

Kryebashkiaku Veliaj tha se misioni i "Nënë Terezës" është një shembull për të gjithë sidomos për të rinjtë që duhet të ndjekin model bamirësie.

Veliaj: Nuk ka rëndësi çfarë besimi kemi; a jemi myslimanë, katolikë, ortodoksë, protestantë, rëndësi ka që një bijë shqiptare, vetëm duke bërë mirë, duke dhënë dashuri, duke respektuar më të dobëtit, duke ndihmuar më të varfrit, arriti jo vetëm të bëjë një emër të mirë, jo vetëm që u bë shenjtore, por na tregoi se nuk ka nevojë me qenë i famshëm, nuk ka nevojë me qenë nga një familje e madhe, rëndësi ka të kesh një zemër të mirë.

Kryebashkiaku ftoi qytetarët që t'i bashkohen këtij solidariteti, duke dhënë kontributin e tyre në ndihmë të njerëzve që kanë më shumë nevojë.

Ai tha se kjo ditë është edhe një moment reflektimi për të gjithë shqiptarët, për të mos penguar njëri-tjetrin, por për ta konvertuar të gjithë këtë energji në punë konkrete.

Mandej, ai shtoi se Tirana është shumë më solidare se sa tre vite më parë, ku janë hapur një numër qendrash sociale dhe mensa. Më pas, kreu i Bashkisë së Tiranës iu bashkua edhe fëmijëve që trajtohen në këtë qendër sociale në një ndeshje futbolli.

EMISIONET