Veliaj: Qentë pitbull do t'i ndalojmë

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në një intervistë ekskluzive për "Tonight Ilva Tare" në Ora News tha se qentë e racës pitbull nuk mund të lejohen të qarkullojnë në qytet për shkak të rrezikshmërisë së tyre. Veliaj thotë po diskutohet me Ministrinë e Bujqësisë për të ndaluar importin e tyre.

Tare: Do të gjobitet dikush që i bie borisë pa shkak për shembull?

Veliaj: Kur ti shikon dikë si një i moshuar që merr pak kohë të kalojë vijat e bardha dhe shikon një njeri të frustruar seksualisht që i bie borisë me një makinë të madhe dhe nuk pret një gjyshe 80 vjeçare të kalojë, sigurisht ai është tipi ideal për gjobë, si në çdo vend normal. Këta të frustruarit e tjerë që mbajnë pitbulla. Një mashkull duhet të jetë seksualisht rëndë i frustruar që të shëtisë me pitbull. Ka probleme që vetëm Frojdi mund t'i zgjidhë. Këta njerëz do të duhet të përballen me ligjin. Unë jam radikal. Besoj që disa kafshë që në të gjithë botën statistikisht jo vetëm sulmojnë më shumë, por edhe kafshojnë me efekt vdekjeprurës nuk duhet të jenë fare. Kam diskutuar me ministrin e Bujqësisë sepse Shërbimi Veterinar për kafshët shtëpiake është i Ministrisë së Bujqësisë, kur ai për kafshët e rrugës është i bashkisë së Tiranës. Edhe unë dhe Niko jemi radikal po diskutojmë që të ndalohet komplet importi i këtyre kafshëve agresive dhe në pamundësi për të patur Frojdin që asiston për të gjithë këta meshkuj të frustruar, të kemi mënyra të tjera, si gjoba, apo konfiskim. Zakonisht janë ata që në gjuhën popullore do të jetë kategoria e lacave që shëtisin me pitbull që të fitojnë respekt, që nuk e fitojnë dot ndryshe nga popullsia. Ky është mendimi im jo shkencor. Duke parë prototipa që lëshojnë qenë të tillë ose i vënë të zihen për baste, më rezulton që populli nuk e ka fare gabim këtë përkufizim.

Tare: Për t'u rikthyer tek cilësia e ajrit dhe ndotjes në Tiranë. I keni kërkuar para një viti, kryeministrit të rishikonte cilësinë e karburanteve. Si është aktualisht cilësia e karburanteve?

Veliaj: Qeveria dhe kryeministri po avancon me ritme shumë të kënaqshme me një projektligj të ri, i cili makineritë e vjetra që përdori diezel, do të nxirren nga qarkullimi. Më duket një vendim jashtëzakonisht i guximshëm.

Tare: Sa për qind e ndotjes në Tiranë vjen nga automjetet?

Veliaj: Të them pak llojet e ndotjes. Pluhuri, dheu nuk është kancerogjen. Ajo është që është kancerogjen janë disa pjesëza të padukshme nga syri i njeriut, që janë nga djegia e karburantit të keq. Quhet PM10, e cila shkakton kancer, bllokon mushkëritë. Dheu dhe pluhuri që ngrihet nuk është i kësaj kategorie. Janë grimca aq të vogla që futen në gjak. Problem është ajo që vjen nga makinat dhe besoj që qeveria ka marrë vendimin e duhur për të avancuar me këtë ligj. Sot kemi, qytete, Londra deri në 2020 nuk do të ketë makina fare diezel. Ky është guxim dhe unë them që po marrim masa të tilla të guximshme dhe ky është një lajm i mirë.



EMISIONET