Tirana do të jetë gati të presë të hënën nxënësit për vitin e ri shkollor. Krahas investimeve për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, Tirana do të zhvillojë një aksion të gjerë pastrimi në zona të ndryshme të kryeqytetit, kryesisht pranë shkollave.

Gjatë takimit me administratorët dhe drejtuesit e institucioneve nën varësi të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se është shumë e rëndësishme që, veç angazhimit të Bashkisë së Tiranës, dhe që ky aksion të jetë i suksesshëm, duhet edhe pjesëmarrja dhe angazhimi i qytetarëve.

“Do të kemi besoj të gjitha pikat e përcaktuara nga kolegët e bashkisë, kryesisht fokusi rreth zonave të shkollës, nëse fëmijët e gjejnë pastër, do sillen pastër. Nëse fëmijët e gjejnë zhul, do imitojnë prindërit që e bëjnë shkollën e tyre zhul. Ne kemi marrë masat këto 3 vite për të hequr të gjitha ndërtimet pa leje, në gjithë problematikat që keni pasur. Nëse fanepset dikush që fillon edhe improvizon një ndërtim, ju lutem na njoftoni, por për dijeninë time, kjo është disiplinuar”, tha Veliaj.

Një vëmendje do të tregohet edhe për disiplinimin e shitjes së ushqimeve pranë shkollave.

“Do jeni shumë të kujdesshëm për ambulantët  pranë shkollave. Nuk ka rast që ta thonë nëse përmend rastin e “Vasil Shantos”. Është 50 metra tregu, tahmaja për të shitur te dera është e paprecedentë. Nuk ka asnjë arsye pse kalamajtë duhet të bëjnë kërcim me pengesa në mëngjes. Nuk ka qytet në botë që është civilizuar, duke u shtrirë njerëzit përtokë, nuk ka. Ambicia jonë është një qytet europian”, deklaroi ai.

Duke ndalur tek fillimi i vitit të ri shkollor, Veliaj nënvizoi se shkollat e reja dhe ato ekzistuese që i janë nënshtruar rehabilitimit do të jenë gati për vitin e ri shkollor në kryeqytet. Ai tha se Bashkia po punon deri në momentet e fundit edhe për rrugët dhe për unazën e mesme që do të jetë gati në nisjen e shkollës

Veliaj theksoi se  pranë kryqëzimeve dhe shkollave do të jenë edhe grupe vullnetarësh të cilët do të kujdesen që fëmijët.

“Do ju kërkoj të gjithëve të mobilizoheni si vjet, edhe me koordinatoren tonë të vullnetarëve. Të gjithë vullnetarët, ata që janë me ndihmë ekonomike, që i marrin paratë pa bërë punë si solidaritet ndaj atyre në nevojë, për disa gjëra elementare ata dhe të rinjtë studentë që kemi mund të na ndihmojnë me trafikun, të ndalojnë makinat teksa shkohet në shkollë”, theksoi Veliaj.

/Ora News.tv/