Veliaj: Këtë vit mbjellim 100 mijë pemë, parandalojmë erozionin dhe përmbytjet

Veliaj: Këtë vit mbjellim 100 mijë pemë, parandalojmë

Bashkia e Tiranës vijon aksionin mbjellja e pemëve në pjesën jugore të Unazës së Madhe, pranë Liqenit të Thatë me qëllim shmangien e erozionit dhe përmbytjeve. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se këtë vit do të mbillen 100 mijë pemë për të shmangur situata të tilla si përmbytjet.

Mbjellja e pemëve është mënyra më e mirë për të parandaluar erozionin dhe përmbytjet nga shirat e rrëmbyeshëm. Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit po vijojnë me projektin e mbjelljes së pemëve, si masë për të shmangur rrëshqitjet e dherave dhe fatkeqësitë natyrore.

Pjesës jugore të Unazës së Madhe i janë shtuar edhe 200 pemë të tjera, duke formësuar Pylli Orbital i Tiranës.

Veliaj: “Siç e keni parë, në shumë zona rurale, nga përmbytjet dhe shirat e fundit, kanë rrëshqitur kodrat, aty ku është prerë një pemë, aty ku janë hequr shkurret, aty ku është zhdukur bimësia dhe një pjesë e madhe e erozionit në zonat rurale shkaktohet nga tahmaja për të prerë pemët. Pra, për të zgjidhur punë për një orë, shkatërrojmë punën e një jete. Ndaj, dua t’i ftoj gjithë qytetarët, nuk ka nevojë të bëhemi gjithologë, kush do të bëjë diçka konkrete mjafton të mbjellë një pemë, një shkurre, mjafton të mos presë ato që ekzistojnë dhe vetëm kështu mundohemi t’i kompensojmë natyrës dëmin që i kemi bërë gjithë këto vite”

Kryebashkiaku Veliaj falënderoj banorët për bashkëpunimin dhe për solidaritetin e treguar për parandaluar fenomenet natyrore me të cilat u përball vendi ditët e fundit.

Veliaj: “Ndoshta jo të gjithëve na jepet shansi që të shërbejmë dhe të jemi administratorë njësish apo të kemi në dorë gjëra të mëdha, por gjërat e vogla i kemi vetë në dorë. I ftoj të gjithë administratorët e pallateve, ndërlidhësit e njësive administrative, nëse gjejnë qoftë edhe 1 m2 bosh ku mund të mbjellin një pemë, le ta bëjnë këtë, sepse është mënyra më e mirë sesi secili i kthen kusurin natyrës për të gjitha padrejtësitë që i kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe. Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë stinës së dimrit, edhe në janar, shkurt dhe mars, që të sigurohemi që maksimizojmë kohën e mbjelljeve. Ndaj, kush e ndjen për Shqipërinë, për Tiranën, për vendin e tij, le të japë një kontribut konkret, ose të mbjellë një pemë, ose të na e dhurojë që ta mbjellim ne”.

Bashkia e Tiranës do të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së dimrit deri në pranverë, me mbjelljen e pemëve për të shtuar gjelbrin për të mbrotjur qytetin nga erozionet.

EMISIONET