Amfiteatri ia ka dalë që të sjellë qytetarët pranë artit, por njëkohësisht edhe pranë natyrës.  Përmes një spektakli fantastik të organizuar nga Bashkia e Tiranës, qindra qytetarë të Tiranës mbrëmjen e djeshme ndoqën për disa orë numrat e ndryshëm muzikorë dhe të baletit. Binte në sy edhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si ambasadorja e Gjermanisë, Susanne Schütz, ambasadori i Austrisë Johann Sattler, Ambasadori italian Alberto Cutillo, Ambasadori i Japonisë Makoto Ito etj.

Për herë të parë, bashkë në një natë, nën tingujt e hënës, 400 artistë u ngjitën në skenën e Amfiteatrit të Tiranës e cila ishte mbushur plot e për plot nga qytetarë të gjithë grupmoshave për të ndjekur koncertin e mbushur me surpriza të përgatitur nga Bashkia e Tiranës. Artdashësit e kryeqytetit kishin mundësi që të ndiqnin tingujt e Olen Cesarit, pjesë muzikale, balet, simfoni, arie, uvertura si dhe pjesë nga repertori botëror dhe shqiptar. Nën dirigjimin e Noorman Widjaja, interpretoi Orkestra e RTSH, Fanfara Tirana, Kori i T.K.O.B & balerinë solistë nga Shkolla e Baletit.

Tirana ka tashmë një tjetër skenë, që do të mirëpresë publikun me festivale, koncerte, teatër, konferenca, shfaqje të cirkut e kinema verore në të katër stinët, duke e shndërruar Parkun e Liqenit Artificial në një pikë të rëndësishme kulturore e argëtimi për qytetarët.

/Ora News.tv/