A vdiq ai? Komedia e Mark Twain këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar

A vdiq ai? Komedia e shkrimtarit të famshëm amerikan, Mark Twain do të vihet për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar nga data 30 qershor deri më 1 korrik 2018 me rastin e festës së Pavaresise se SHBA (4 Korrik)

" Vendosa ta sjell në shqip këtë kryevepër pasi për mua ishte intriguese, kishte shumë humor, ndërkohë që një nxitje më tepër ishte dhe fakti që bëhej fjalë për një komedi në të cilën përfshiheshin piktorë, tregonte për vuajtjet dhe sakrificat aq të vërteta të atyre që i kanë kushtuar jetën artit.

Në këtë komedi çdo njeri gjen grimca nga vetvetja dhe ka mundësi të shikojë groteskun e shoqërisë që nuk i vlerëson artistët në të gjallë por ju jep famë dhe parà vetëm pas vdekjes" thotë Andis Gjoni, i cili regjisori dhe skenografi i kësaj komedie.

"Uroj t’ja kem arritur qëllimit që ta bije në shqip këtë vepër në mënyrë sa më të përafërt me origjinalin me shpresën që idetë dhe humori të kenë efektin e duhur edhe përpara publikut shqiptar" vijon Gjoni i cili është dhe përkthyesi i veprës.

Komedia përshkruan situatat surreale dhe plot humor në të cilat kalojnë artistët në përpjekjet e tyre për mbijetesë. Historia e piktorit Mije ngjan si dy pika uji me historitë e mijëra artistëve që luftojnë tërë jetën dhe shpesh arrijnë lavdinë vetëm pas vdekjes.

Ky anakronizëm është paraqitur shumë bukur në këtë komedi ku personazhi kryesor paradoksalisht vendos të vdesë në mënyrë që të mund të jetojë.

Kur shkroi këtë pjesë Tueini ishte i mbushur me borxhe, kishte humbur vajzën në moshë të re dhe nuk shihte fare dritë në fund të atij tuneli të errët ku gjendej. E megjithatë ai arriti në saje të gjenialitetin e tij të krijonte një perlë argëtuese që me situatat komike të paraqiste bukur jetën dhe vështirësitë e artistëve.

 Për fat të keq kjo pjesë nuk e pa dritën e skenës për më tepër se 100 vjet dhe vetëm së fundmi është rizbuluar dhe është bërë pjesë e repertorit të teatrove në botë.

Komedia është e përmbledhur në dy akte, në të parin paraqiten ambientet e jetës boheme, me varfërinë ekstreme që domosdo krijojnë situata të pabesueshme dhe groteske. Ambienti i dytë është pas “vdekjes” dhe suksesit financiar dhe artistik të personazhit kryesor, një dhomë e madhe luksoze me abazhurë, divanë dhe kolltukë të shekullit XIX, me perde të arta.


Kur eshte shfaqja?

Me 30 Qershor dhe 1 Korrik ora 20:00 në Teatrin Kombëtar. Interepretojnë aktorët: Donald Shehu, Gentian Zenelaj , Cubi Metka,Roland Saro,Suela Konjari, Erblin Bajko,Albi Dhima,Sokol Angjeli,Erjon Hodo, Algiona Aga, Margent Caushi,Brunilda Borova. 

Rezervimet në nr. 04 222 30 22 Orari biletarisë 9:00-13:00 dhe 16:00-19:00.

Komedia do marrë pjesë në Festivalin “Vera e Ohrit”, si dhe do shfaqet në Prishtinë.

EMISIONET