Vazhdojnë debatet për ndarje e korrigjim kufijsh

Vazhdojnë debatet për ndarje e korrigjim kufijsh

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se qëndrimi i kancelares gjermane, Angeka Merkel, për mos ndryshimin e kufijve në Ballkan është i njohur tashmë dhjetë vjet me radhë, ndërsa ritheksoi angazhimin e tij për ndarje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Të hënën kancelarja Merkel tha se tërësia tokësore e Ballkanit Perëndimor është e pandryshueshme dhe se një qëndrim i tillë duhet përsëritur sepse ka gjithmonë përpjekje për të diskutuar mbi kufijtë.

Presidenti serb sulmoi të martën kundërshtarët e idesë së tij në Serbi duke theksuar se ata që i gëzohen deklaratës së kancleares Merkel, duhet ta dinë që gijthë bota perëndimore me pak përjashtime, e sheh Kosovën si të tërë, sovrane dhe territor të pandashëm që u takon shqiptarëve.

Ai ritheksoi se do të vazhdojë të luftojë për ndarjen dhe për t'u siguruar serbëve më shumë se sa që kanë tash për tash në Kosovë. Presidenti serb tha se pret që në fillim të shtatorit të takohet në Bruksel me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova e ka hedhur poshtë idenë e ndarjes tokësore të saj, ndërsa është përfshirë ne debatet e nxitura nga ideja e presidentit të saj Hashim Thaçi për 'korrigjimin e kufirit" që sipas tij, nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën. Ideja e tij është kundërshtuar nga pothuajse të gjithë udhëheqësit politik në Kosovë, të cilët pohojnë se ato mund të dëmtojnë shtetësinë e Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale ai përshëndeti deklaratën e kancelares Merkel "rreth pacenueshmërisë së kufijve në Ballkanin Perëndimor. Krejt çka mbetet të bëhet është që shumica e vendeve të Bashkimit Evropian t’i bindin pesë vendet mosnjohëse dhe Serbinë që ta njohin Kosovën me kufijtë që i ka. Sa më shpejt që të arrihet kjo, aq më mirë për rajonin”, shkroi ai.

Presidenti Thaçi ka vazhduar të mbrojë idenë e tij dhe u ka bërë thirrje partive politike që të punojnë së bashku që në një periudhë prej katër deri në gjashtë muaj të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Dhe derisa kancelarja Merkel foli për mosndryshim të kufijve, debatet megjithatë mbetën të nxehta për shkak të refuzimit të Brukselit dhe Washingtonit për të folur hapur kundër ideve që vijnë nga Beogradi dhe Prishtina.

Zyra e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Zëri i Amerikës për këtë çështje. Brukseli tha të premten nëpërmjet një zëdhënësi se zgjidhja e përhershme e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, duhet të jetë realiste dhe e qëndrueshme, por pa u përfshirë në debate.

Departamenti amerikan i Shtetit i tha Zërit të Amerikës javën që shkoi se "politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët. Duke shprehur mbështetjen për Bashkimin Evropian si lehtësues, Departamenti i shteti tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët".

Beogradi i cilëson deklarimet e tilla si dëshmi të ndryshimit të qasjes së prerë të perëndimit ndaj Kosovës dhe tërësisë së saj tokësore dhe hapje të mundësisë për një kompromis, që sipas autoriteteve serbe do të thoshte ndarje e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Serbia është zotuar se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Por, ajo është përshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kusht për integrimet evropiane të të dyja palëve. /VOA/

EMISIONET