Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, akuzoi sërish sot  kryeministrin Edi Rama se me ndryshimin e ligjit për rezervat materiale të shtetit, po i rrëmben qeverisë të drejtën e blerjes së arit.

Sipas Vasilit, kryeministri i ka hequr qeverisë të drejtën që të vendosë, për Mallrat e grupit A ku është ari pjesë kryesore e tyre, duke ia kaluar këtë të drejtë vetes së vet.

 

Deklarata e Vasilit:

Parlamenti i Edi Ramës ka votuar ndryshimin e një pike të vetme në ligjin e Rezervave Materiale të Shtetit, pikërisht nenin 10. Me këtë ndryshim kryeministri ia ka hequr Qeverisë të drejtën që të vendosë, si deri më sot, për mallrat e grupit A ku është ari pjesë kryesore e tyre dhe ka ligjëruar rrëmbimin në grushtin e tij.

Në një relacion skandaloz shpjegues të qeverisë, që shoqëroi ligjin thuhej se: Kjo bëhej, që këto blerje të kryheshin me shpejt, pra të mos vonoheshin nga mbledhjet e qeverisë dhe se hierarkia e akteve të tjera e kërkonte. Ky mashtrim është sa bajat aq edhe provon qëllimet e errëta personale të kryeministrit në këtë aferë.

Ka disa pyetje të pakapërcyeshme, që duan përgjigje.

1. Përse këtë vendimmarrje shumë të rëndësishme të qeverisë ai e rrëmben në grushtin e tij?

2.Përse gënjen me shkakun gjoja për të bërë blerjet me shpejt, kur dihet botërisht që kryeministri e mbledh sa herë të dojë qeverinë, biles ky yni ngarkon edhe zv.kryeministrat të cilët e kanë bërë dhe e bëjnë me dhjetra herë?

3.Përse gënjejnë me hirearkinë e akteve, kur dihet, që për shkakun se grupi A përmbante mallra me peshë si ari dhe argjendi ky atribut duhet të ishte vetëm i qeverisë?

4.Ç’qëllim i errët fshihet pas këtij veprimi juridikisht të pajustifikueshëm e dënueshëm?

5.Interesin e kujt cënonte diskutimi dhe vendimmarrja e hapur në mbledhjen e qeverisë për këto mallra ku bën pjesë edhe ari e argjendi?

6.Përse nuk ka asnjë rast të përshkruar në relacion se kur na qenka vonuar apo penguar nga qeveria praktika e blerjes së mallrave të grupit A që i detyroi që t”i marrë kryeministri në grushtin e vet?

7.Përse nuk ka asnjë ndryshim tjetër as në ligj dhe as në VKM nr.1128 datë 5.08.2008 për grupet e tjera të mallrave, të cilat janë edhe ato pjesë e Rezervave Materiale të Shtetit?

/Ora News.tv/