Deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, se për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë kanë rënë dakord dy presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë trazuar politikën në Tiranë dhe Prishtinë.

Partia Demokratike përmes ish-ministrit të Jashtëm, Aldo Bumçi, e quajti këtë tradhëti kombëtare, ndërsa projektin për shkëmbimin e territoreve si të haruar në interes të serbëve dhe rusëve.

Bumçi: Ky është një lajm ogurzi për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në rajon, që tregon se fatet e kombit janë në duart e një grupi njerëzish të papërgjegjshëm që për interesat dhe pushtetin e tyre personal janë gati të tregtojnë dhe të zhbëjnë arritjet historike që kanë ardhur nga sakrifica sublime.

Kryeministri maqedonas ra pre e një shakaje telefonike e realizuar nga dy komedianë rusë.

Duke reaguar pas publikimit të telefonatës, Zaev tha se ky rreng është organizuar nga struktura kundër qëllimeve euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.

Ai pranoi gjithashtu se dy komedianëve rusë u kishte dhënë dhe numrin e telefonit të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, çka ngre dyshime se pre e tyre ka rënë edhe vetë kreu kosovar.

Në një tjetër reagim, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili e akuzoi kryeministrin Edi Rama si mbështetësin e kësaj sipërmarrje të tillë të rrezikshme.

Vasili: Në një situatë të tillë është shumë e qartë roli destruktiv i Edi Ramës, bërja palë e tij me axhenda të errëta antishqiptare dhe jo transparente të cilat ka zgjedhur ti mbulojë me heshtje ose me shpresën se projekti do të ecte përpara, e pastaj do të rishfaqej në rrolin e protagonistit, i cili kishte qëndruar në prapaskenë për të marrë përfitimet e këtij projekti.

Në Prishtinë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, bëri kritika të ashpra ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kërkoi largimin e tij.


/Ora News.tv/