USAID thirrje qeverisë: Kujdes PPP-të në energji

USAID thirrje qeverisë: Kujdes PPP-të në energji

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe USAID i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të bëjë kujdes me dhënien e konçesioneve PPP në sektorin e energjisë. Por kryeministri Edi Rama u shpreh se strategjia e re e energjisë do të ofrojë më shumë siguri për çdo investim. Ambasadorja Romana Vlahutin kërkoi më shumë vëmendje për energjinë e rinovueshme ndërsa ministri Gjiknuri premtoi uljen e mëtejshme të humbjeve.

USAID është institucioni i dytë ndërkombëtar që i bën thirrje qeverisë shqiptare të bëj kujdes në dhënien e kontratave PPP në sektorin e energjisë, duke kërkuar transparencë. Ky është apeli i dytë pas Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili u dha gjatë prezantimit të strategjisë së energjisë deri në 2030. Përfaqësuesja e USAID kërkoi më shumë konkurencë në këtë aspekt.

Catherine Johnson, Përfaqësuese e USAID: Dua ti bëj më shumë jehonë mesazhit të FMN. Shqipëria do të përfitojë më shumë duke mos dhënë konçesione pa konkurencë te biznese individuale. Duhet të ketë kontrata transparente dhe me standarde në sektorin e energjisë. Askush nuk duhet të marr trajtim të posaçëm.

Por për kryeministrin Edi Rama strategjia e re e energjisë do të ofrojë më shumë siguri për të gjitha llojet e investimeve në këtë sektor.

Rama: Jam i bindur që me këtë strategji në dorë, të gjithë do të ndihen më të motivuar dhe më të sigurt në vazhdimin e punës së përbashkët dhe në investimet e reja, qofshin ato investime që vijnë nga bashkëpunimi rajonal, apo nga bashkëpunimi bilateral, qofshin ato investime që vijnë nga sektori privat.

Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin apeloi për më shumë investime në energjinë e rinovuershme për të ulur varësinë nga importi.

Romana Vlahutin: Reduktimi i importit nga varësia nga importi i energjisë kërkon që të përdoren dhe shfrytëzohen më mirë burimet e energjisë së rinovueshme, pasi Shqipëria ka shumë diellë dhe erë. 

Ndërkohë minstri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri premtoi ulje të humbjeve dhe rritje të arkëtimeve.

Strategjia Kombëtare e Energjisë 2018-2030 është një udhërrëfyes i cili vendos piketat kryesore për modelet e zhvillimit të një prej promotorëve kryesorë të ekonomisë.

EMISIONET