Ambasadorja e Shqipërisë në Romë, Anila Bitrit në një lidhje telefonike për Ora News, tha se ka ndjekur me shqetësim ngjarjen dramatike në rajonin e Ligurias ku pas shembjes së një ure, vdiqën 22 persona. Ajo tha se nuk ka shqiptarë të lënduar, pavarësisht se ka shumë prej tyre që jetojnë në këtë rajon. Zonja Bitri u shpreh se konsulli shqiptar i nderit në Liguria është në dispozicion për çdo ndihmë.

Bitri: Ne kemi ndjekur me dhimbje sot ngjarjen tragjike shembjen e urës, një pikë e rëndësishme që lidh rajonin e Ligurias me rrjetin e autostradave nacionale dhe ato që lidhin Italinë më tej me Evropën. 

Humbja e 22 jetëve dhe lëndimi i njerëzve të tjerë janë një ngjarje e dhimbshme për të cilën ne kemi shprehur ngushëllimin dhe jemi solidarizuar me qytetarët italianë. Kemi pasur komunikime të menjëhershme me konsullin e nderit të Shqipërisë në Liguria se çfarë ndodhi. Kemi transmetuar solidaritetin për të qenë pranë në këtë situatë për të përballuar gjetjen dhe identifikimin e të lënduarve. 

Ai është një rajon që ka një popullsi shqiptare. Nuk kemi informacion që të kemi shqiptarë të humbur apo jetë të prekura në rajon. Do të presim më tej zhvillimet, identifikimin e viktimave për të pasur informacione të tjera më të detajuara. 

Të gjithë janë të lënduar nga kjo tragjedi e rëndë. Ne po e ndjekim me vëmendje situatën dhe jemi të gatshëm për asistuar në rast nevoje. Konsulli ynë i nderit në rajon është i gatshëm për të qenë në shërbim të qytetarëve.

Më herët, ambasada shqiptare në Itali ka reaguar pas shembjes së urës Morandi në Genova të Italisë.

Në një njoftim Ambasada shprehet se deri tani nuk ka raportime për shqiptarë të lënduar.

Njoftimi i plote:

Ambasada ndjek zhvillimet në lidhje me shembjen e urës Morandi në autostradën A10 në Genova. 

Deri tani nuk kemi informacione nese mes të lënduarve ka qytetarë shqiptarë.

Qendrojmë në gatishmëri të plotë për t'iu përgjigjur kërkesave për asistencë.

Numri i kontaktit operativ është +39 0686224115.


Deri tani raportohet për 11 të vdekur, mes tyre dhe një fëmijë.

/Ora News.tv/