Unaza e Madhe, përfundon afati për dorëzimin e ofertave: Ja kush janë 6 kompanitë

Unaza e Madhe, përfundon afati për dorëzimin e ofertave: Ja kush

Mbyllet afati për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e lotit të parë në Unazën e Madhe. Pas anulimit të fituesit të parë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se kanë dorëzuar ofertat 6 kompani, ndërsa tashmë ka nisur procedura për vlerësimin e dokumentacionit të paraqitur.Por për Partinë Demokratike fituesi i kësaj gare është i paracaktuar.

Gjashtë kompani  kanë shprehur interes për ndërtimin e lotit të parë në Unazën e Madhe pas skualifikimit të kompanisë DH Albania.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se tashmë ka përfunduar afati zyrtar dhe në përputhje me ligjin e Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar  ka filluar procedurën e vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur.

Pas shqyrtimit të dokumentacionit do të kalohet në vlerësimin e ofertave, shpalljen e rezultatit dhe bërjen e tij publike.

Tenderi për  rehabilitimin e  segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1  do të zbatojë të njëjtët kritere dhe kërkesa ligjore me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të Unazës, duke mos ndryshuar asnjë prej tyre.

ARRSH i ka bërë thirrje partive politike të mos dëmtojnë procesin e garës dhe të mos intimidojnë Komisionin e Vlerësimit të Ofertave ndërsa sigurojnë se i gjithë procesi do të jetë transparent.

Por për Partinë Demokratike procesi është i manipuluar dhe sipas drejtueses së Departamentit Antikorrupsion tashmë është paracaktuar  fituesi i tenderit.

Lealba Pelinku: Është hapur gjoja tenderi për segmentin e Shqiponjës, ku Edi Rama u kap me presh në duar duke vjedhur me kompani fantazaëm, por e vërteta është se sërish fituesi është i paracaktuar. Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit. Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra.

Aktualisht punimet në lotin e parë të Unazës së Madhe janë ndërprerë punimet pas konstatimit se kompania DH Albania kishte falsifikuar dokumentat.

Ndërsa banorët e Astirit vijojnë protestat duke kundërshtuar shembjen e banesave të tyre të cilat preken nga projekti.

Kompanitë që kanë dorëzuar oferta

1. Curri sh.p.k. & Vëllezërit Hysa sh.p.k. & Agri Konstruksion

2. GD Granit AD Skopje

3. Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi ivest sh.p.k.

4. Geci sh.p.k.

5. ANK sh.p.k.

6. Baftjar Murati


EMISIONET