Ulja e kreditimit është parë me shqetësim nga krerët e financave shqiptare. Në konferencën vjetore të BSH-së ministri Arben Ahmetaj tha se sistemi bankar në vend ka marrë të gjitha lehtësirat e duhura dhe tashmë duhet të pasqyrojë këto në kreditim.

Arben Ahmetaj: Me keqardhje mund të them që sistemi bankar akoma nuk po i përgjigjet rritjes dhe sfidës së rritjes ekonomike të vendit. Rritja e kredisë së biznesit në vend mbetet ende e moderuar dhe nuk po luan plotësisht rolin që ka në ekonomi.

Guvernatori i  Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se institucionet financiare kanë kapitalin e duhur ndaj duhet të mbështesin investimet.

Gent Sejko: "Shkalla e ulët e zhvillimit të nivelit në tregje financiare, fenomeni i rritjes së kredive me probleme, dhe niveli i lartë i huamarrjes në valutë frenuan përcjelljen e plotë të stimulit monetar në ekonomi."

Kryeministri Edi Rama nga ana tjetër ia kushtoi fjalën e tij vlerësimit të punës së institucionit të Bankës së Shqipërisë.

Edi Rama: "I vetmi institucion në këtë vend që nuk është anatemuar nga njëra palë për llogari të kacafytjes me palën tjetër"

Mesa duket guvernatori Gent Sejko do të vijojë të mbajë mandatin pavarësisht intepretimeve të bëra duke qenë se kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e këtij institucioni dhe drejtuesin e tij.

/Ora News.tv/