Ulet numri i viktimave në ujërat mesdhetare italiane

Ulet numri i viktimave në ujërat mesdhetare italiane

Tragjedia e një ditë më parë në brigjet e ishullit të Sardenjës, pas mbytjes së një barke me 13 emigrantë algjerianë në bord, 3 prej të cilëve mbijetuan, ka rindezur debatin publik, mediatik e politik në Itali mbi plagën e emigrantëve që mbeten viktima ndërsa kapërcejnë Mesdheun drejt Evropës.

Ministria e Brendshme Italiane ka shpërndarë sot të dhënat statistikore mbi numrin e emigrantëve që kanë humbur jetën në brigjet italiane.

Sipas këtyre të dhënave nga janari 2018 e deri më sot në ujërat mesdhetare italiane janë rikuperuar trupat e 23 emigrantëve, shifër kjo mjaft e ulët e krahasuar me një vit më parë. Sipas Ministrisë së Brendshme italiane në vitin 2017 janë 212 trupa emigrantësh të mbytur, të gjetur në ujërat mesdhetare në kompetencë të Italisë .

Por mbetet mjaft i lartë numri i emigrantëve që rezultojnë të humbur në Mesdhe e që trupat e tyre ende nuk janë gjetur.

 Nga fillimi i janarit 2018 e deri më sot, Ministria e brendshme Italiane informon se janë rreth 1252 emigrantë që rezultojnë të humbur në ujërat e Mesdheut Qendror.

Në të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, (2017) numri i tyre ishte 2872 të humbur.

Sipas UNCHR nga janari i 2018 e deri më sot numri i emigrantëve që rezultojnë të humbur në të gjithë ujërat e Mesdheut , në tentativë për të mbërritur në Evropë, është 1987, ndërsa në të njëjtën periudhe kohore të një viti më parë, numri i tyre ishte 3111, 2872 prej të cilëve vetëm në ujërat e Mesdheut qendror.

Prej disa vitesh rruga detare e Mesdheut është rruga më e preferuar për emigrantët e azilkërkuesit nga Afrika që përpiqen të mbërrijnë në Evropë, por dhe rruga më e rrezikshme detare me numrin më ta lartë të personave që humbin jetën, trupat e të cilëve nuk gjenden kurrë.

Në bazë të të dhënave të UNCHR, nga janari i 2018 e deri më sot janë reth 100 mijë emigrantë e azilkërkues që përmes rrugës detare të Mesdheut kanë mbërritur në brigjet evropiane. E vetëm gjatë shtatorit të 2018 1 person në çdo 8 emigrant ë kanë kapërcyer Mesdheun, ka mbetur viktimë.

EMISIONET