Mazhoranca rrëzon për të tretën herë radhazi Presidentin. Kreu i Shtetit ktheu ligjin “për tatimin mbi të ardhurat”, ku sanksionohej ulja e dividentit nga 15% në 8%. Ndërkohë që deputetët socialistë vendosën ta rrëzojnë atë me 76 vota. Kreu i grupit parlamentar të LSI e ka kundërshtuar këtë vendim duke u shprehur se janë shkelur të gjitha afatet që duhet të zbatojë shqyrtimi i  dekretit. Edhe qytetarët shprehen se një vendim i tillë është i padrejtë, ndërkohë që ata paguajnë shumë taksa.

Që nga 1 janari bizneset e mëdha do të pagujanë më pak taksa për shpërndarjen e fitimeve.

Edhe pse presidenti Meta e cilësoi këtë ndryshim të padrejtë dhe nuk e dekretoi ligjin, parlamenti e rrëzoi dekretin duke lënë në fuqi ndryshimin.

Kështu tatimi mbi dividentit nga 15 % do të ulet në 8%. Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili tha se rrëzimi i dekretit tregoi që parlamenti nuk funksionon.

Sipas Vasilit shyrtimi i këtij ligji nuk ka zbatuar afatet që parashikohen në Kushtetutë.

Vasili: Mbrëmë argatët e oligarkëve në Parlamentin e Shqipërisë, konsumuan aktin e fundit të asgjësimit të këtij Parlamenti. Mbrëmë në mënyrën më banditeske, Komisioni i Ekonomisë në orën 7 e gjysëm të darkës, ka shqyrtuar dekretin e Presidentit, i cili kthente mbrapsht uljen e normës së tatimit mbi të ardhurat për oligarkët, pra nga 15% në 8%, për ta rishikuar, pasi ky ishte një favor, një ndihmë, një dhuratë e madhe, të cilën argatët e Parlamentit u bënin oligarkëve.

Në shkeljen dhe dhunimin më të paprecedentë në 27 vjet Parlament pluralist, jashtë çdo rregulle dhe procedure, kjo u fut në orën 10 të darkës për t’u miratuar dhe duke shkelur e dhunuar çdo procedurë. Argatët e oligarkëve i bënë për fund peshqesh atyre dhe Parlamentit, duke ia dhënë tërësisht me koncesion atë.

Ndërkohë që vetë qytetarët e kundërshtojnë një gjë të tillë dhe shprehen se duhet të largohen sa më parë nga vendi.

"Rritjet e taksave po largojnë të gjithë rininë dhe çdo brez nga Shqipëria.Çdo ditë situata vetëm rëndohet".

"Nuk di se çfarë të mendoj, të gjithë njerëzit duhet të ngrihen dhe ti japin një grusht të madh kësaj qeverie dhe kujdo që vjen nëse sillet kështu si është kjo. Jam nënë me një fëmijë, paguaj çdo taksë dhe nuk kam asnjë mbështetje nga ky shtet".

Kohët e fundit  parlamenti ka rrëzuar një sërë dekretesh të presidentit Ilir Meta pavarësisht arsyetimeve të dhëna.

Disa nga dekretet më të diskutuara janë tatimi për lojërat e fatit, buxheti 2019 i cili rrëzohet për herë të parë pas 27 viteve demokraci si dhe së fundmi ligji për tatimin mbi të ardhurat.



/Ora News.tv/