Ukraina mbron dy lojtarët e kombëtares kroate

Ukraina mbron dy lojtarët e kombëtares kroate

Ndërsa kombëtarja e Kroacisë bëhet gati për lojën e sotme vendimtare me Anglinë në kampionatin e futbollit, FIFA po penalizon dy lojtarë të saj, pasi përshëndetën Ukrainën, kur Kroacia fitoi ndaj vendit mikpritës Rusisë, në çerekfinale të shtunën. Ukraina menjëherë doli në mbrojtje të kroatëve, shkruan "VOA".

FIFA i dha ndihmës trajnerit të Kroacisë, Ognjen Vukojeviç një gjobë prej 15 mijë dollarësh pasi postoi një video ku brohoritej “Lavdi Ukrainës”. Mbrojtësi Domagoj Vida mori vetëm një paralajmërim pasi brohoriti “Lavdi Ukrainës”, pas fitores së ekipit të tij ndaj Rusisë. Të dy ata kanë luajtur për klubin e futbollit ukrainas Dinamo Kiev në të kaluarën. Federata kroate e futbollit e shkarkoi Vukojeviçin lidhur me videon dhe i kërkoi ndjesë Rusisë.

Por federata ukrainase e futbollit premtoi të martën, t’i mbështestë Vidën dhe Vukoviçin.Deputeti dhe presidenti i Federatës së Futbollit të Ukrainës, Andriy Pavelko kishte veshur fanellën e kombëtares kroate kur foli në parlament në Kiev.

"Ne kemi një qëndrim të qartë që t’i mbrojmë miqtë tanë. Ne u ofruam mbështetje ligjore dhe financiare si Ognjeniy ashtu edhe Vidës”.

Zoti Pavelko tha se menaxherët e federatës së futbollit kishin vendosur që të rimbursojnë Vukojeviçin për gjobën që dha FIFA.

"Dhe nëse ai do të punësohet në Ukrainë, duke pasur parasysh përvojën dhe rolin e tij, do t’i ofrojmë punësim në Federatën e Futbollit të Ukrainës”.

Marrëdhëniet mes Ukrainës dhe Rusisë janë acaruar pas aneksimit të Krimesë dhe mbështetjes ruse për separatistët në Ukrainën lindore. Rregullat e FIFA-s ndalojnë sloganet politike, nacionaliste dhe raciste të çdo forme.

Tre lojtarë të kombëtares zviceriane, përfshirë Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhaka u gjobitën pasi bënë simbolin e shqiponjës shqiptare me dy duart, pas golave në lojën kundër Serbisë.

Ashtu si në rastin e lojtarëve me origjinë nga Kosova, kur kritikët e vendimit thanë se shqiponja ishte simbol krenarie dhe jo një deklaratë politike, kritikën e vendimit për sportistët kroatë thonë se “Lavdi Ukrainës” është një përshëndetje e zakonshme si “Rroftë Franca”, ose “Rroftë Kroacia”. Një deputet ukrainas, Mykola Knyazhytsky, madje e akuzoi FIFA-n për njëanshmëri politike.

"Kur dalin gjithandej në internet fotografitë e presidentit të FIFA-s me një bluzë me emrin 'Putin', mbiemri i presidentit të një vendi që ka kryer agresion kundër vendit tonë, nuk shihet si gjest politik. Por një përshëndetje e zakonshme, që shkëmbehet shpesh në vendin tonë që iu drejtua miqve me të të cilët Vukojeviç ka luajtur për vite me radhë dhe qe ka jetuar këtu, shihet si një gjest politik.Është e qartë që është e padrejtë dhe një qëndrim jo objektiv”.

Vida tha se përshëndetja e tij nuk kishte nota politike dhe ishte një shprehje mirënjohjeje për mbështetjen nga tifozët e Ukrainës.

EMISIONET