"Ujqërit e Natës" të Putinit tmerrojnë Sllovakinë, "bazë ushtarake" fare pranë Bratislavës

Ngritja e një baze në Sllovaki nga grupi më i madh i motoçiklistëve rus ”Ujqërit e natës” që njihet si grup miqësor me  Presidentin rus, Vladimir Putin, ka vënë në alarm Ministrinë e Jashtme të Sllovakisë.

"Ujqërit e Natës" janë stacionuar në disa objekte të mëdha në fshatin Dolná Krupá, vetëm 70 km larg nga kryeqyteti i Sllovakisë, Bratislava.

Ata disponojnë automjete të vjetra ushtarake me të cilat zhvillojnë stërvitje.Qeveria ruse e cilëson bazën e "Ujqërve të Natës" si "selinë europiane".

Grupi janë nën sanksione të SHBA-së, të akuzuar për ndihmë ushtarake ndaj rebelëve pro-rusë në Ukrainë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme sllovake, Peter Susko, tha për BBC se aktivitetet e "Ujqërve të Natës" do të duhet të "monitorohen me kujdes".

"Ne mendojmë se ndikimi i anëtarëve të tyre është i dëmshëm, sidomos në përhapjen e mendimeve të tyre përmes të cilave përpiqen të rishkruajnë historinë," tha ai në një intervistë telefonike.

Kur u pyet për të specifikuar opinionet  kontradiktore, ai tha: "Për "Ujqërit e Natës"  Krimeja ka qenë, është dhe do të jetë ruse, Stalini ishte një hero i madh, NATO është një organizatë kriminale, etj".

Grupi më i madh i motoçiklistëve rus ”Ujqërit e natës” janë konsideruar shpesh si një ushtri në shërbim të Presidentit Putin, të cilët merren me aktivitete kriminale dhe e kanë për qëllim që ta bëjnë sa më të madhe ‘nënën Rusi’.

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar shpesh për njerëzit e Putinit që shëtisin botën me motorët e tyre Harley Davidson me parulla nacionaliste për Rusinë e madhe.

Nochniye Volki, apo Ujqërit e Natës, numërojnë rreth 5 mijë anëtarë dhe Putinin e adhurojnë dhe e kanë anëtar nderi të organizatës. Përgjatë viteve, banda e tyre ka marrë rreth 1 milion dollarë grante nga Kremlini.

Madje, shefi i Ujqve të Natës, Alexander Zaldostanov, ka marrë pjesë personalisht në një sulm në lindje të Ukrainës bashkë me ekipin e tij ndaj një objekti ushtarak ku u vodhën armët e ushtrisë ukrainase më 2014.

Ditët e fundit nëpër rrjetet sociale kanë qarkulluar pamje të postuara nga përdorues nga Sllovakia, ku përmes fotografive shihet se banda e "Ujqve të Natës" kanë ngritur një bazë në shtetin e BE’së, ku përveç aktiviteteve tjera bëhen edhe trajnime ushtarake me tanke dhe mjete të blinduara.

EMISIONET