Komisioni i Apelit pranë UEFA-s përjashtoi për dy sezone mbrojtësin kosovar të Skënderbeut, Bajram Jashanica. Në lidhje me këtë vendim, ka reaguar klubi korçar që në një deklaratë për shtyp ka theksuar se vendimin do ta ankimoi në gjykatën e arbitrazhit sportiv "CAS".

Deklaratë për shtyp nga KF Skenderbeu

Komisioni i Apelit i UEFA-s vendosi lënien në fuqi të masës disiplinore “pezullim nga aktiviteti” për një periudhë 2-vjeçare për lojtarin e KF Skënderbeut, Bajram Jashanica.

Pavaresisht argumenteve dhe dëshmive të dhëna në seancë gjyqesorë nga ana e lojtarit dhe personave të tjerë të lidhur me çështjen, organi juridik vendosi mospranimin e kërkesës të paraqitur nga Bajram Jashanica për uljen e sanksionit.

Bëjmë me dije se aktualisht, palët janë në pritje për disponimin nga ana e Komisionit të Apelit të UEFA-s të vendimit integral, i cili do të ankimohet në CAS.

KF Skënderbeu i ka ofruar lojtarit të gjithë mbështetjen e mundshme gjatë kësaj periudhe të vështirë për të dhe beson se masa disiplinore është disproporcionale me rrethanat e ngjarjes dhe me shkallën e përgjegjësisë të Bajram Jashanica.

Për këtë arsye, në çdo formë dhe me të gjitha mjetet në dispozicion, do të kërkojmë vendosjen e një mase disiplinore më të ulët, për garantimin e vijueshmerisë së karrierës të lojtarit tonë.

Zyra për Shtyp,

KF Skënderbeu

/Ora News.tv/