Manchester City rrezikon të përjashtohet nga UEFA Champions League, trofeu që dëshirojnë më shumë kampionët në fuqi të Premier League. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola dyshohet se ka mashtruar autoritetet për Fair Play Financiar dhe janë nën hetim për shpenzimet në merkato.

Autoritetet angleze dhe UEFA po hetojnë prej muajsh skuadrën e Manchester Cityt, midis akuzave për shkelje të rregullave financiare. Gjithsesi, kjo nuk është pritur aspak mirë nga zyrtarë të klubit anglez, që përmes një deklarate për shtyp kanë hedhur poshtë akuzat nga UEFA.

"Akuzat për parregullsi financiare janë krejtësisht të rreme. Manchester City mirëpret hapjen e një hetimi zyrtar të UEFA-s si një mundësi për t'i dhënë fund spekulimeve që rezultojnë nga sulmet ilegale dhe jashtë kontekstit të publikimit të e-maileve të skuadrës tonë. Llogaritë e publikuara të klubit janë të plota"-thuhet në njoftimin e "Qytetarëve".

Nëse rezulton që Manchester City ka shkelur këto rregulla, kampionët në fuqi të vendit rrezikojnë përjashtimin nga UEFA Champions League. Megjithatë, ky vendim nuk do të futet që këtë vit në fuqi, por duke nisur nga sezoni i ardhshëm.

/Ora News.tv/