Zhdukja e avokatit Besnik Muça vijon të thellohet në mister. Sendet personale të avokatit që humbi gjurmët në tragetin e linjës Durrës-Bari janë gjetur nga punonjësit brenda mjetit lundrues por fati i 52-vjeçarit mbetet ende i paqartë. Për shkak të faktit se zyrtarisht Muça ka dalë nga Durrësi, ndërsa në Itali ende nuk ka një konfirmim për mbërritje, dyshimet janë për një fatalitet në mes të detit.

12 ditë pas zhdukjes, misteri i zhdukjes së avokatit Besnik Muça vijon të thellohet. Sendet personale të 52 vjeçarit që u nis drejt Italisë më 2 nëntor janë gjetur në tragetin e linjës Durrës-Bari, por për vetë avokatin nuk ka asnjë shenjë.

Burimet thonë se çanta dhe sendet personale, mes të cilave edhe një kartë qëndrimi italiane sikurse dhe një xhup janë zbuluar nga personeli i tragetit dhe tashmë janë sekuestruar si provë materiale në funksion të hetimit për fatin e 52- vjeçarit.

Prokuroria italiane pritet që të analizojë materialet në kërkim të gjurmëve ose të dhënave që mund të hedhin dritë mbi fatin e 52 vjeçarit, i denoncuar i zhdukur në Itali nga bashkëshortja që e priste atje. Ballafqimi i të dhënave në të dy brigjet i forcon edhe më shumë misteret e ngjarjes.

Për palën shqiptare, Besnik Muça, rezulton se ka kryer të dyja procedurat në portin e Durrësit si atë të check-in dhe sistemin TIMS. Mbi këto fakte Policia dyshon se zhdukja e tij mund të ketë ndodhur gjatë udhëtimit. Pistat më fatale janë se 52 vjeçari mund të jetë vetëhedhur në det nga trageti ose e kanë vrarë duke e hedhur në det.

Për këtë arsye, është urdhëruar që rojet bregdetare të patrullojnë përgjatë bregdetit shqiptar me qëllim për të verifikuar nëse trupi i tij ka dalë në breg.

Grupi hetimor po verifikon nëse avokati Besnik Muça ka pasur konflikte apo ndonjë mosmarrveshje me ndonjë prej klientëve të tij, ndërkohë që ushtronte aktivitetin e avokatit të lirë në kryeqytet.

Muça i ka humbur kontaktet me familjarët që nga data 2 nëntor, kur ai do të imbarkohej në traget, për t’u nisur drejt Italisë.

Që prej asaj dite, bashkëshortja, familjarët e tjerë në Shqipëri, shokët, të njohurit dhe të afërmit e tij nuk e kanë idenë e vendndodhjes së 52-vjeçarit.

/Ora News.tv/