Kukësi u mposht 2-1 në testin e parë miqësor nga Basaksehir, që kryeson Superligën e Turqisë, por në kampin blu ka entuziasëm. Trajneri Armando Cungu u shpreh i kënaqur me performancën e të tijëve  përballë një kundërshtari dinjitoz, që ka në përbërjen e tyre yje si Robinho dhe Arda Turan.

"Për të qënë i sinqertë jam i kënaqur me lojën që treguan djemtë. Duke pasur parasysh se është ekip kryesues në Superligën turke dhe një ekip me shumë yje jo vetëm kombëtar por mbarë botërore. Në këto kushte nuk ishte e lehtë për të luajtur kundër këtij kundërshtari. Gjithsesi luajtëm me shumë dinjitet. Një lojë shumë e kënaqur për mendimin tim
"-tha Cungu.

Me afrimin e Vasil Shkurtaj, Cungu ka dy sulmues të nivelit të lartë, ku asnjëri prej tyre nuk e pranon stolin. I pyetur nëse po mendon të ndryshojë skemën, shkodrani u shpreh:

"Jemi një kontigjent që duhet t'i japim mundësinë të hedhim në fushë çdo sportisti dhe për të parë më të mirën, e për të parë se cilët janë lojtarët që kanë formën më të mirë sportive dhe që janë prezent për të kontribuar për ekipin. Gjithsesi, jam i kënaqur nga të gjithë, si në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë. Kjo më kënaq, pasi na jep premisa dhe shpresa për të qënë të suksesshëm për startin e kampionatit". -shtoi tekniku shkodran.

Arbër Çyrbja i cili ishte një ndër lojtarët më të mirë të Kukësit në këtë miqësore, duke shënuar edhe një gol u shpreh:

"Është kënaqësi t'i bësh gol portierit të kombëtares turke si dhe ekipit që luajtëm. Ishte shumë e vështirë, pasi ato kanë një ekip shumë të fortë dhe kanë disa lojtarëve që ne i kemi parë vetëm në televizor. Kështu që ishte një ndeshje shumë e fortë. Duke parë edhe rezultatin besoj se ishte mirë. "-përfundoi Çyrbja.


/Ora News.tv/