U largua nga ringu, ja arsyeja që bëri Harper të merrte këtë vendim

U largua nga ringu, ja arsyeja që bëri Harper të merrte

Curtis Harper befasoi botën e boksit të premten duke u larguar nga ringu me të filluar duelin kundër Efe Ajagbas.

Boksieri amerikan kishte hyrë në ring së bashku me kundërshtarin e tij nga Nigeria, në duelin që duhej të zhvillohej në Minneapolis, mirëpo porsa ra gongu për fillimin e raundit të parë, 30-vjeçari doli nga ringu dhe u largua.

Trajneri  Nate Campbell e ka kritikuar atë duke thënë se ishte turpëruar nga veprimi i boksierit të tij.

“Ky njeri e ka turpëruar veten, gruan e tij, tifozët dhe mua”,- ka shkruar Campbell në rrjetet sociale.

Gazetarja Jordan Hardy, e cila punon për "Premier Boxing Champions" ka thënë se Harper i kishte thënë asaj se po largohej për shkak të parave.

“U largua nga ringu, sepse nuk paguhet sa duhet për duelet e tij dhe kërkon respekt”,-ka shkruar gazetarja në rrjetet sociale.

Promovuesi Leon Margules ka thënë për BBC Sport se organizatorët nuk e kanë ditur për planin e Harper dhe si rezultat i veprimit të tij, boksieri nuk është paguar.

“Ai ka nënshkruar një kontratë dhe është pajtuar që të ndeshet. Hera e parë që dëgjuam për çështjen e parave, ishte pasi u largua nga ringu. Ai erdhi në matje dhe u paraqit në kohë, madje i goditi dorëzat para gongut. Nëse nuk i ka pëlqyer marrëveshja, pse e pranoi duelin dhe paratë?”,-ka thënë Margules.

Veprimi i tij nuk ishte parë kurrë në nivelet e larta të boksit, ndërsa personalitete të njohura nga ky sport e kanë kritikuar atë që bëri Harper. 




EMISIONET