U kapën me 100 kg marijuanë në makinë, mbeten në burg 4 të arrestuarit

U kapën me 100 kg marijuanë në makinë, mbeten në burg 4

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka lënë në burg nkatër të arrestuarit në kuadër të operacionit policor të koduar "Segmenti".Trupa gjykuese dha masën e sigurisë burg pa afat për Nardi Malaj, 45 vjeç, Jozef Ndoci, 34 vjeç dhe Aurel Tanushi, 24 vjeç, ndërsa për Dod Dodanin, 41 vjeç u dha masa e sigurisë burg me afat 35 ditë pasi Prokuroria kërkon të verifikojë prova shtesë sepse sipas saj provat e paraqitura nga policia ishin të paqarta.

"Burg pa afat" për Nardi Malajn, Jozef Ndocin dhe Aurel Tanushin, si dhe  "burg me afat 35 ditë" për Dod Dodanin dha Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër.

4 shtetasit u vunë në pranga nga policia gjatë operacionit të koduar “Segmenti”, ku u kapën 100 kilogram marijuanë, si dhe u sekuestruan 2 automjete dhe 4 telefona celular.

Arsyeja përse për Dodanin, që rezulton të jetë këshilltar në Këshillin bashkiak të Vau Dejësit u dha "burg me afat 35 ditë", lidhet me kërkesën e Prokurorisë për të verifikuar prova shtesë, sepse ato që ishin paraqitur nga policia gjatë zhvillimit të operacionit për arrestimin e tij ishin të paqarta.

Seanca gjyqësore për masën e vlerësimit u zhvillua me dyer të mbyllura dhe kryesohej nga gjyqtarja Arta Llazani, me prokuror Albert Muçaj, si dhe avokatet mbrojtës Anton Kosteri dhe Arber Raja.

Mësohet se në sallën e gjyqit, Dodani dhe Tanushi i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, ndërsa dy shtetasit e tjerë Ndoci dhe Malaj i kanë pranuar.

Për të parët pala mbrojtëse kërkoi vetëm "detyrim paraqitje", ndërsa ndaj dy të tjerëve "arrest shtëpie", por u rrëzuan nga trupa gjykuese që la në fuqi kërkesën e organit të akuzës për "arrest me burg".

Në parashtrimin e mbrojtjes për klientët e tij, avokati Anton Kosteri ka theksuar përpara trupës gjykuese se: “Proçedura e ndjekur është në kundërshtim me nenin 294/a/3 të kodit të proçedurës penale pasi oficeri i policisë gjyqësore kur kryen veprime simuluese nuk mund të provokojë kryerjen e një vepre penale, nëse ajo nuk do të ishte kryer pa ndërhyrjen e OPGJ-së. Në rastin konkret punonjësi i OPGJ i cili ka kryer veprime simuluese ka provokuar kryerjen e kësaj vepre penale pasi në mënyre të shprehur i ka kërkuar Nardi Malaj që ai të blinte lëndë narkotike”.

Këta shtetas u arrestuan në rrugën Lezhë-Shkodër, pais gjatë kontrollit në pjesën e pasme të makinës së tyre "Audi" të parkuar në një pikë karburanti jofunksionale u gjet droga e paketuar në 7 thasë të zinj plastikë e mbuluar me çarçafë.

Gjithashtu në shtëpinë e Dodanit u gjet lëndë e dyshuar narkotike 42,2 gram si dhe fara gjithashtu të dyshuara të bimëve narkotike 179,8 gram.

EMISIONET