Në përfundim të afatit për deklarimet në bazë të së cilës të gjitha bizneset me një xhiro mbi 2 mln lekë do përfshihen në TVSH, biznesi i vogël ankohet se po falimenton ndërsa paralajmërojnë protesta. Shoqata e biznesit të vogël deklaron se barra e vërtetë e kësaj skeme do të ndjehet në muajt në vijim kur të vijë momenti për ta paguar. Ndërkohë që ekspertët argumentojnë se zbatimi i ligjit ka disa probleme. Bujar Bendo deklaron se në TVSH janë përfshirë edhe profesionet e lira ndërsa dalja nga kjo skemë mund të bëhet vetëm pas 1 viti.

Kur ka mbetur edhe shumë pak kohë nga afati i deklarimit të bizneseve të vogla të cilat përfshihen në TVSH, përfaqësuesit e tyre ngrenë shqetësimin se kjo nismë po i dëmton. Shoqata e Biznesit të Vogël deklaron se të gjitha ato biznese që kanë një xhiro mbi 2 mln e kanë të vështirë të përballojnë përfshirejn në TVSH pasi kostoja arrin 30 deri në 40 mijë lekë në tre muaj. Shoqata paralajmëron të tjera protesta e madje edhe ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Agolli: E dini ju që ka biznese që do paguajnë tani 300-500 mijë lekë të vjetra TVSH. Po e di çdo të thotë 500 lekë të vjera TVSH? Të merret 5-6 mln në vit. 5-6 mln lekë një biznes i vogël mund ta ketë fitimin.

Agolli sqaron se efektet e vërteta do të ndjehen në muajt në vijim pasi bizneset do të detyrohen të paguajnë.

Agolli: Qeveria gënjen, dmth gënjen kryeministri, gënjen ministri i Finanacave, gënjejnë edhe ata që bëjnë politikat fiskale. Pse gënjejnë?! Vetë po thonë që do paguajnë 20% TVSH, në datën 10 të gjitha bizneset do paguajnë.

Ndërkohë eksperti kontabël Bujar Bendo shpjegon se skema e TVSH do të ndikojë në fitimet e biznesve. Bendo ngre si shqetësim faktin që në TVSH janë përfshirë edhe profesionet e lira edhe pse u tha që nuk ishin pjesë.

Bendo: Kanë qenë minimalistë 1300 subjekte që kanë kaluar në statusin pasiv. Pra ato subjekte që e kanë parë që në këtë lloj situate me hyrjen në TVSH nuk kanë pasur mundësinë ta vazhdojnë më, kanë filluar e kanë pezulluar aktivitetin, ose e kanë mbyllur aktivitetin. E marrë në analizë me shpenzimet nëse ky subjekt në fund të muajit do fitonte 150 mijë lekë, tani do fitojë 128 mijë lekë. Pra është i prekur edhe tek fitimi.

Eksperti konstaton se një tjetër problem i ligjit është fakti që nëse një subjekt përfshihet në TVSH edhe nëse i ulen fitimet aio mund të dalë nga skema vetëm pas 12 muajve

Bendo: Ti ke një xhiro që u identifikove në 2017 mbi 2 mln lekë, meqë në 1 prill futesh në TVSH edhe të duash të dalësh nuk del dot më. Pra 12 muaj ti je i detyruar të deklarosh me TVSH.

Brenda 16 korrikut, mbi 11 mijë biznese të vogla duhet të deklarojnë për tu bërë më pas pjesë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për periudhën prill-qershor 2018.

/Ora News.tv/