Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk është shprehur optimist në lidhje me zhvillimin e dialogut mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Tusk tha se për përmirësimin e marrëdhënive duhet implementimi i plotë i marrëveshjeve.

Tusk: “Pa normalizim gjithëpërfshirës dhe pa implementimin e plotë te marrëveshjeve nuk shoh se si mund të bëhet një ndryshim dhe përmirësim i marrëdhënieve. Pas takimit që realizova me presidentin e Serbisë, Aleksnder Vuçiç dhe sot me presidentin tuaj Hashim Thaçin, jam shumë më optimist. Më lejoni që të falënderojë Thaçin, ashtu siç e falënderova edhe Vuçiçin për kapitalin personal që kanë investuar në dialog. Bëhet fjalë për një vendim strategjik, që jam i bindur se do të shpaguhet në afat të gjatë”.

Tusk përgëzoi Kosovën për ratifikim e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për konsensus politik në lidhje me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tusk: “Ju përgëzoj për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Kjo e vendos Kosovën një hap para për t’u afruar më shumë regjimit të udhëtimit pa viza. Jam i sigurt se do të vazhdoni me proceset e reformave dhe se nuk do të hiqni dorë nga kjo. Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon konsensus politik dhe me konsensusin tuaj do të kemi mundësi të vazhdojmë me këtë politikë të mirëfilltë”.

Nga ana e tij, kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi tha se BE-ja dhe Ballkani Perendimor janë më afër se kurrë. 

Thaçi: “BE dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën nuk kanë qenë kurrë më afër njëri-tjetrit. Mendoj që të dy palët, BE dhe Shtetet e Ballkanit Perëndimor, e kanë kuptuar se bashkërisht mund të bëjnë shumë më shumë, të realizojmë në praktikë atë që BE e ka riaktualizuar përsëri – anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”.

/Ora News.tv/