Turqia: Sulmi ushtarak në Idlib do të sillte katastrofë

Turqia: Sulmi ushtarak në Idlib do të sillte katastrofë

Zgjidhja e situatës me mjete ushtarake në provincën e fundit të Sirisë, Idlib, do të ishte një çonte në katastrofë. Deklarata bëhet nga ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu gjatë një takimi në Moskë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

"Një zgjidhje ushtarake atje do të shkaktojë katastrofë" tha Çavuşoğlu në  konferencën e shtypit.

"Jo vetëm për rajonin Idlib, por për të ardhmen e Sirisë, ajo do të shkaktojë katastrofë dhe përplasjet mund të zgjasin shumë kohë."

"Ndarja e civilëve nga luftëtarët në Idlib është e rëndësishme për të gjithë, por një zgjidhje me forcë do të çonte në një valë të re refugjatësh dhe një katastrofe humanitare", paralajmëroi ai.

"Një zgjidhje me forcë në Idlib do të minonte besimin midis Rusisë dhe Turqisë, si dhe besimin e pjesëmarrësve të armëpushimit".

Provinca është streha e më shumë se 3.5 mln njerëzve, por edhe i një sërë grupesh ushtarake të mbështetura nga Turqia. Rënia e Idlibit, do të thoshte rënia e të gjithë ndikimit turk në Siri dhe lufta më se 7 vjeçare atje e orkestruar edhe nga Ankaraja do të përfundonte pa asnjë rezultat politik.

Ndërkohë, në rajon zërat po shtohen se mund të ketë një sulm qeveritar të mbështetur nga Rusia në provincën veriperëndimore siriane, kështjella e fundit e madhe e rebelëve.

Presidenti rus Vladimir Putin u takua me ministrat e mbrojtjes të Turqisë dhe Rusisë, ministrat e jashtëm dhe shefat e inteligjencës në të dy vendeve më 24 gusht.

Në një deklaratë të shkurtër para fillimit të takimit, i cili u mbyll për shtypin, Putin tha se marrëdhëniet e Rusisë me Turqinë "po thellohen dhe po lulëzojnë dhe bashkëpunimi ynë në çështjet rajonale dhe ekonomike po rritet".

Aleanca xhihadiste Hayat Tahrir al-Sham (HTS) kontrollon rreth 60 për qind të Idlibit, që kufizohet me Turqinë, ndërsa grupet rebele të mbështetura nga Turqia mbajnë shumicën e pjesës tjetër.

Idlib është një nga zonat e ashtuquajtura "de-escalation" të krijuara nga Rusia, Turqia dhe Irani vitin e kaluar.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha më 24 gusht se situata ishte e "shumëfishtë" dhe bëri thirrje për ndarjen e "opozitës së shëndetshme nga strukturat terroriste".

"Kur u krijua zona de-escalation në Idlib, askush nuk propozoi që terroristët të fshiheshin pas popullatës civile si një mburojë njerëzore", tha ai.

Ai tha se ishte i sigurt që presidentët turq dhe rusë do të "flisnin në detaje mbi këtë temë".

Çavuşoğlu tha gjithashtu se procesi politik në Siri duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

EMISIONET